“Pse vrasjet në Tropojë nuk do të zbardhen kurrë dhe roli i Berishës”


Në një intervistë për “Report Tv” gazetari Artan Hoxha ka folur për prononcimin e motrës së vogël të Haklajve, Zylfie Haklaj.

Sipas tij, ngjarjet në Tropojë janë me të vërtetë të dhimbshme pasi janë vrarë djemtë më të mirë të Tropojës dhe Berisha ka patur mundësinë që t’i shuajë këto konflikte, por nuk e ka bërë

Hoxha thekson se të gjitha këto ngjarje kanë pas një mendje djallëzore dhe se është i mendimit që ngjarjet e ndodhura në qytetin verior nuk do të zbardhen kurrë.

Kush është Zylfie Haklaj? Çfarë peshe ka ajo në konflikt?

Fisi Haklaj është një fis i madh. Përfshihen shumë familje. Në rastin konkret flasim për familjen Haklaj. Unë kam qenë kurioz për të lexuar intervistën. Ishte interesante pjesa që një personazh që nuk ka folur më parë, ka folur pas kaq shumë vitesh.

Ajo është në top më të kërkuarit në Shqipëri për shkak të urdhër kërkimit që është në dhënë për të. Interpoli e ka në kërkim me pullë të kuqe, i njëjti kriter kërkimi që ka patur edhe Bin Ladeni dikur. Ajo është dënuar diku nga viti 2004-2006, nuk e mbaj mend mirë. Zylfia është një nga 7 fëmijët, është motra e vogël.

Nga vëllezërit jeton më i madhi Hamdiu dhe motra tjetër Aishja. Vrasjet e të tjerëve kanë qenë në përmasa të jashtëzakonshme. Kemi vrasje me snajper. Pra nuk janë hasmëri e thjeshtë. Bëhet fjalë për minimin e 1 km rrugë. Ishin vendosur mina të telekomanduar në distancë që të mos kishte vetëm një shpërthim. Pra nëse i shpëtonin shpërthimit të parë ku do të dëmtohej vetëm makina e blinduar do të ishin minat e tjera. Rikthehemi tek Zylfia, ajo është motra e vogël, nga të 7 fëmijët: Shkëlqimi, Halil, Ylli, Fatmiri, Hamdiu dhe Aishja.

Nga shtatë kanë mbetur tre. Edhe Aishja është larguar gjithashtu. Ka qenë në Tropojë deri në 2005, pastaj erdhi në Tiranë. Kishte vështirësi për shkak se në pushtet kishte ardhur Sali Berisha kundërshtari më i madh i tyre.

Zylfia ka qenë fëmija më i padukshëm. Ajo ka qenë mësuese në fshat, 20 minuta larg shtëpisë. Ka mbaruar për mësuese fizike me rezultate shumë të mira. Në fakt, të gjithë fëmijët e Muharremit kanë qenë shumë të shkolluar. Por kjo ka qenë më e paekspozuara. Madje as e njohur në Tropojë, ndryshe nga motra tjetër që ka qenë drejtoreshë shkolle dhe burrin e kishte kryetar të PS-së për zonën.

Madje edhe për ngjarjen e prillit 2002 ku ajo vrau dy persona dhe plagosi dy të tjerë u quajt “Shota e Haklajve” sepse edhe nuk njihej mirë. Pastaj u sqarua emri i saj, pasi në fis kishte një tjetër vajzë që quhej Shota.

Cila ka qenë zanafilla e konfliktit?

Unë e quaj sagë. I kam ndjekur për 10 vjet me radhë ngjarjet në Tropojë. Më vjen keq që them të njëjtën gjë që kam thënë para 15, 10 dhe 5 vitesh që kjo çështje nuk do të zgjidhet kurrë.

Seriali i ngjarjeve në Tropojë e ka zanafillën shumë të vjetër. Pas luftës së Kosovës, Haklajt nuk iu duheshin më. Kur ndodhën ndryshimet politike, Haklajt ishin në mbështetje të PD-së, pastaj ata ndërruan krah. Duhet të kemi parasysh që në Tropojë ishte vendlindja e Sali Berishës, kështu që dashur pa dashur u krijua një diferencim. E gjitha nisi me një konflikt të vëllezërve Hoxha me Haklajt, ngjarje banale për të cilën u përdorën armët.

Më pas ka patur një tentativë të Forcave Speciale që të arrestonin vëllezërit Haklaj. Por një polic i komisariatit që as që ishte në rreshtin e parë u plagos në shpatull.

Konflikti me Sali Berishën nisi në fushatën elektorate të 1997, ku Berisha do të prezantonte dy kandidatët për deputet. Përballë Azem Hajdarit ka qenë një doktor koleg i Berishës, që nuk kishte lidhje me politikën. Por para së të vinte aty Azemit i ishte vënë pritë tek Ura e Milotit gjë që justifikoi mungesën e tij. Ndërkohë që në Tropojë ishte qëlluar impianti i zërit dhe për të folur Berisha përdori një megafon.

Gjatë gjithë mitingut Berisha përdori një gjuhë shumë të ashpër ndaj kolegut të vet ku thoshte se vota për të ishte votë për serbët, votë për bandat. Në një cep ka qenë Shkëlqim Haklhaj, i cili kthente përgjigje sa herë që Berisha shante.

“Këtë e dua të gjallë a të vdekur me vete”, kështu shprehej Berisha sa herë që Shkëlqimi e kundërshtonte. Por Berisha e dinte që kjo nuk ishte e mundur. I gjithë debati në miting ishte regjistruar në një kasetë që ra në duart e Haklajve. Episodi tjetër është vrasja e 5 janarit të ‘98-ës ku vdiq Shkëlqimi dhe kunati i tij Artur Demiri. Makina kthehej nga Fushë-Kruja ku Shkëlqimi kishte shkuar të merrte detyrën. Prita ishte vendosur që një ditë para.

Gjatë përleshjeve njëri nga personat në makinë ka shpëtuar. Ai ka patur kohë që të zbresë në fshatin Vlad. Lajmi për atë pritë është dhënë në Tiranë shpejt, gjë që ka shtuar dyshimet që urdhri ishte nga kryeqyteti. Viktimat i ka gjetur autobusi i linjës.

Pasi u morr vesh lajmi, Fatmiri ka shkuar në spital, nuk i ka folur askujt, vetëm kur ka parë trupin e të vëllait me predha ka thënë: “Bukur të paskan qëndis vlla”  dhe nuk është parë më deri të nesërmen pasdite në varrim. Paradite janë vrarë tre persona. Mendohet që ishin persona që Fatmiri dyshonte se kishin lidhje me vrasjen e të vëllait. Dyshonte se Azemi kishte lidhje.

Sot Zylfia flet për vrasjen e Azemit. Ju si mendoni Fatmir Haklaj erdhi për të vrarë Azemin apo dikë tjetër?

Ajo nuk është një pritë e mirëfilltë. E kam sqaruar që ishte një ngjarje e pazakontë. Fatmiri nuk organizonte prita të tilla, nuk kishte nevojë për 80 veta. Ismeti është dënuar kot pasi është e vërtetë që  ka zbritur nga Tropoja me Fatmirin, por nuk ka gisht në vrasjen e Azemit.

Unë mendoj që në këtë sagë janë vrarë më të mirët e Tropojës, të futur në sherr nga një mendje djallëzore. Ka nevojë për një hetim serioz. Berisha ka pasur mundësi që t’i ulë gjakrat, por nuk e ka bërë.