Pse u dogj Athina?


Me 82 viktima të shënuara nga zjarri që shkrumboi pjesën lindore të rajonit të Atikës, zemërata te populli grek është rritur dhe të gjithë fajësojnë qeverinë dhe autoritetet përgjegjëse për emergjencat se reaguan në mënyrë të ngadaltë për shuarjen e flakëve dhe shpëtimin e jetëve.

Me situatën që po shkon drejt stabilizimit, me ndihmën edhe të reshjeve të shiut, në Greqi të gjithë janë duke kërkuar fajtorin që shkaktoi tragjedinë në Athinë. Fillimisht zyrtarët sugjeruan se 15 zjarret që u ndezën në të njëjtën kohë në Athinë ishin pasojë e zjarrvënies së qëllimshme, si pjesë e lëvizjeve për “destabilizimin e vendit”.

Teoria e tyre u hodh poshtë nga të tjerë që shprehen se shkaku i zjarrit janë shkëndijat e dala nga shtyllat e tensionit të lartë.

Por deklaratën më të fortë për arsyen pse ndodhi fatkeqësia e ka dhënë kryetari i Bashkisë Penteli në Atikën veriore. Gazeta greke “Protothema” shkruan se Dimitris Stergiou tha se zjarri i tmerrshëm nisi nga prerja e një kabllo të tensionit të lartë.

Stergiou tha për radio “THEMA”, se ai jeton në zonë  që u shkrumbua dhe pa se zjarri fillimisht nisi në zonën e “Dau Pentelis”.

“Ishte sikur shpërtheu një bombë atomike”, tha Stergiou.

“Pashë kabullin e shkëputur nga rrjeti i vjetër i PPC në zonë dhe vura në dijeni edhe Brigadën e Zjarrit. Unë mendoj se është shkaktuar nga kjo”, theksoi ai.

Ai sërish theksoi më pas se banon në zonë dhe ndodhej aty kur nisi zjarri vdekjeprurës, i cili sipas tij u përhap më pas me shpejtësi, i ndihmuar nga era me fuqi mbi 105 km/h dhe përfshiu brenda pak orësh gjithë rajonin e Atikës lindore.

Ndërkohë policia ka arrestuar 4 persona si të dyshuar për plaçkitjet e kryera në zonën e Neos Voutzas, në kodrën mbi fshatin turistik Mati, që u shkrumbua tërësisht.

Baby Boo