Pse Qeveria suedeze rekomandon që popullata e moshuar të mos izolohet nga pandemia COVID-19?


Derisa vendet e tjera evropiane po shtrëngojnë masat kufizuese për shkak të rritjes së numrit të njerëzve të infektuar me COVID-19, Suedia ka porositur qytetarët e saj mbi moshën 70 vjeçare që të mos izolohen.
Njoftimi erdhi nga Qeveria suedeze të enjten, më 22 tetor, me shpjegimin se Suedia regjistron numër më të ulët të njerëzve të infektuar sesa në pranverë dhe se izolimi la pasoja në shëndetin mendor të popullatës së moshuar.
“Agjencia e Shëndetit Publik ka vendosur që të moshuarit, si dhe ata në grupet e tjera të rrezikut, nuk do t’i nënshtrohen masave specifike, ata do t’u nënshtrohen të njëjtave rekomandime si pjesa tjetër e popullsisë”, tha ministrja suedeze e Shëndetësisë, Lena Hallengren, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Suedia aktualisht ka një total prej rreth 110,000 të infektuarve me coronavirus dhe mbi 5,900 vdekje. Numri i të infektuarve është rritur vazhdimisht javët e fundit, por është ende dukshëm më i ulët se në vendet e tjera të Evropës.
Në Republikën Çeke, janë shtrënguar masat për të përballuar rritjen e madhe të rasteve të reja. Belgjika, Holanda, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë gjithashtu shtetet që kanë shënuar rritje të madhe.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve nga COVID-19 në Suedi është më i lartë se në vendet e tjera Skandinave, por gjithsesi më i ulët se numri i regjistruar nga vendet që kanë ndërmarrë masa më të rrepta si Spanja ose Mbretëria e Bashkuar.

Një qasje tjetër
Që nga fillimi i pandemisë, Suedia ka pasur një qasje të ndryshme nga pjesa tjetër e Evropës – duke u mbështetur në masa vullnetare për të promovuar distancën fizike dhe sjelljen e ndërgjegjshme të qytetarëve të saj – por Suedia i kishte izoluar shtëpitë e pleqve kur numri i të infektuarve filloi të rritet dhe kur vdekjet tek të moshuarit u rritën.

Strategjia e Suedisë që bazohet mbi përgjegjësinë personale, dhe jo kufizimet dhe bllokadat e rrepta, është kritikuar pas vdekjeve në pranverë, kryesisht në shtëpi të pleqve, por zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) e kanë vlerësuar modelin e tyre si “të qëndrueshëm”.
Strategjia bazohet në premisën që rekomandimet mund të zgjasin për vite me radhë dhe se do të ishte një “katastrofë” për të hapur dhe mbyllur shkolla dhe restorante çdo herë, dhe kjo do të bënte më shumë dëm për shërbimet publike ose bizneset sesa mbyllja e tyre menjëherë dhe përgjithmonë.

Gjatë shtatorit, kur numrat filluan të rriteshin përsëri pas një vere të qetë, Suedia megjithatë e konsideroi rikthimin e masave.
“Numri mesatar i infeksioneve të reja po rritet”, tha Anders Tegnell, kryedemidologu Suedez i cili shpiku strategjinë Suedeze, por shtoi se “ende nuk ka ndikuar në kujdesin shëndetësor. Çfarë saktësisht do të ndodhë, do të shohim”.

Baby Boo