Protokolli për zgjedhjet mbetet në fuqi, problem hapësirat e ngushta të vendvotimeve


Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe thotë se protokolli i zgjedhjeve i publikuar kohë më parë është i pranuar edhe nga KSHZ-ja kurse e vetmja gjë që duhet të qartësohet edhe votimi i personave të infektuar dhe atyre në izolim. KSHZ-ja nga ana tjetër deklaroi se do të angazhohet për të siguruar hapësira më të mëdha për vendvotimet.

“Maskat, dorezat, dezinfektuesit dhe distanca fizike do të jenë të pandashëm nga ky proces zgjedhor. Por, sa këto masa do të jenë të mjaftueshme për t’u siguruar mbrojtja e shëndetit të votuesve dhe mbrojtja e shëndetit të anëtarëve të këshillave zgjedhor, ka akoma dilema”.

Problem më i madh do të jenë hapësirat e ngushta nëpër shkolla dhe institucione të tjera ku janë vendvotimet. Në hapësira prej vetëm disa metra katror do të duhet të qëndrojnë 10-15 persona, anëtarët e këshillit zgjedhor, vëzhguesit e partive politike, vëzhguesit e akredituar vendas dhe të huaj si dhe vetë votuesi. Ata obligohen të mbajnë maska dhe doreza por protokolli nuk parashikon distancën brenda vendvotimit. Për momentin nuk parashikohen masa të tjera.

“Ka vetëm disa dilema rreth votimit të personave që janë në izolim shtëpiak, janë në vetëizolim dhe njerëzve që kanë sëmundje kronike, të cilëve duhet t’u ofrohet të votojnë në kushte shtëpiake por duke respektuar protokollin shëndetësor” – tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve kërkoi besimin e qytetarëve për procesin duke shtuar se do të angazhohen për krijimin e kushteve preventive.

“Do të sigurojmë qasje pak më të ndryshme në vendvotime, do të sigurojmë vendvotime me hapësira pak më të mëdha, me mundësi për ajrosje të vendit të votimit gjatë gjithë ditës. Kuptohet, këtë nuk mund ta bëjmë 100% për shkak të kushteve në vendin tonë por unë shpresoj se do ta bëjmë në përqindjen më të madhe të mundshme” -tha Oliver Derkoski, kryetar i KSHZ-së./Fatlume Dervishi

Baby Boo