Protestë në Selanik kundër marrëveshjes me Maqedoninë


Me incidente të vogla, para zyrave të Grekëve të Pavarur, përfundoi protesta e djeshme në Selanik, kundër marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, lajmëruan mediat lokale.

Përmes rrjeteve sociale, një grup nën emrin “Maqedonasit e bashkuar” e organizoi protestën dhe i ftoi qytetarët të marrin pjesë pa përcaktime partiake, vetëm me flamujt grek.

Protesta filloi nga Kulla e Bardhë në qendër të Selanikut, ndërsa vazhdoi përgjatë rrugëve, përderisa qytetarët e grumbulluar brohoritnin slogane kundër qeverisë, por edhe se Maqedonia është greke.

Gjatë protestës, protestuesit ndaluan para konsullit të Republikës së Maqedonisë dhe para ambasadës amerikane, dhe vazhduan drejtë zyrave të SIRIZA-s dhe Grekëve të Pavarur.

Para zyrave të Grekëve të Pavarur, një grup i vogël i personave të maskuar, i sulmuan forcat e policisë me dru dhe gurë, ndërsa policët u përgjigjën me gaz lotsjellës. Incidenti zgjati shkurtë, pasionet janë qetësuar, ndërsa protesta vazhdoi dhe përfundoi qetë aty ku edhe filloi – para Kullës së Bardhë.

Siç lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina, në deklaratë për agjencinë e lajmeve greke ANA – MPA një nga pesë organizatorët thotë se e kanë realizuar të drejtën e tyre demokratike, që haptas ta shprehin mospajtimin e tyre për marrëveshjen nga Prespa.

“Qëllimi ynë ishte që të dëgjohej zëshëm se Selaniku nuk pajtohet me marrëveshjen konkrete”, thotë Dimitris Ziabazis, njëri nga organizatorët, për ANA -MPA.

Baby Boo