Pr*otestë në mure kundër dhu*nës brenda mureve


Muret e qytetit të Mitrovicës Jugore, Deçanit dhe të Prishtinës janë mbushur me mbishkrime revoltuese, si formë pro*testuese kundër padrejtësive të kultivuara ndër vite ndaj vajzave dhe grave. Përmes këtyre shkrimeve, aktivistët feministë po tentojnë të vënë drejtësinë në vend duke i linçuar e ekspozuar në publik pasojat e mendësisë patriarkale.

“Dhu*nuesit e grave në burg”, “Virgjiniteti është shpikje e burrave”, “Veshja nuk është provokim’, “Profa që t’ngacmon seksualisht e ka vendin n’burg, jo n’shkollë”, “Ai që t’rreh nuk t’don”, “Kafja nuk është veç për burra” janë vetëm disa nga mbishkrimet e kuqe me të cilat aktivistët e ‘Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist’ po luftojnë ndaj ngacmimeve, dhunimeve, padrejtësive, zakoneve e mendësive që po i shtypin gratë.Nga “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist” kanë thënë se këtë nismë të shpërndarjes së mesazheve do ta vazhdojnë edhe në çdo komunë apo lagje ku është e nevojshme të depërtojnë mesazhe të tilla.

“Deçani konsiderohet të jetë një nga qytetet ku mendësia dhe sistemi patriarkal rëndojnë dukshëm më shumë mbi gratë sesa në qytetet tjera dhe ku aktivizmi feminist është vështirë i vërejtshëm. Gjithashtu, edhe në Mitrovicë aktivistet feministe lokale e kanë shtruar nevojën e grafiteve të tilla”, thanë nga Kolektivi. Pas mbishkrimeve në Deçan ka pasur reagime të shumta sa kjo çështje e ngrit në debat publik. Pas mbishkrimeve edhe në Mitrovicën e Jugut, kjo kauzë mori përkrahje por edhe kritika të ashpra në rrjete sociale.
“Mbishkrimet kanë hasur në reagime të ashpra nga burrat të cilët përmes komenteve dhe mesazheve e kanë shpërfaqur mendësinë dhunuese të cilën ne veç se e kemi denoncuar përmes grafiteve”, shtuan realizatorët e mbishkrimeve.

Sipas Kolektivit, këto aksione simbolike janë bërë në bashkëpunim dhe me artikulim nga vetë aktivistet/ët që jetojnë në këto qytete. Gjithashtu, vetë përmbajtja e mbishkrimeve është artikuluar nga vetë aktivistet/ët lokalë që i kanë adresuar shqetësimet kyçe të tyre.

Ndërkaq, për komentet që kanë marrur pas tentativës për të thyer mendësinë përmes gjuhës e kryengritjes simbolike nga Kolektivi thonë se komentet e shumta që përmbajnë gjuhë të urrejtjes kanë arritur në mënyrë konstante duke bërë thirrje për dhunë fizike, përdhunim e vrasje të cilat kanë qenë më nota kërcënimi.Përveç kësaj ata/ato pohojnë se kanë marrë shumë mbështetje dhe solidarizim nga vajza e gra, djem e burra.“Synimi ynë është të depërtojmë në sytë dhe veshët e të gjithë/a atyre ku as drejtësia e shteti nuk arrinë”, theksojnë tutje.

Ndërsa për bujën e madhe që kanë shkaktuar mbishkrimet në opinionin publik nismëtaret/ët vlerësojnë se reagimet po tregojnë natyrën pandemike të dhunës në Kosovë.
“E gjithë kjo është gjithësesi për ta luftuar këtë mendësi patriarkale e cila po i dhunon dhe vret gratë dhe për ta nxitur revoltën e grave në njërën anë, reflektim tek burrat dhe veprim efikas të shtetit në mbrojtje të grave”, thanë aktvistët.

Mbishkrimet si formë komunikimi përgjatë viteve janë përdorur si mjet i rezistencës. Shumëllojshmëria dhe sasia e mbishkrimeve konsiderohet pjesë e trashëgimisë gjuhësore për të përhapur informacione apo për t’u revoltuar ndaj padrejtësive të caktuara.

Baby Boo