Protestë në Gjakovë pas vrasjes së nënës dhe të bijës në Brekoc


Shoqëria Civile e Gjakovës në përkrahje nga RrGK-ja (Rrjeti i Grave të Kosovës), sot në ora 11:00 marshojnë prej Parkut të Qytetit deri tek Çarshia e Vogël për të kundërshtuar vrasjen e gruas 40 vjeçare dhe vajzës së saj, në Brekoc të Gjakovës.
Kjo protestë organizohet dhe për të kërkuar përgjegjësi nga institucionet e Kosovës për këtë dhe shumë raste të tjera të dhunës në Kosovë.

“Individë e aktivistë/e nga shoqëria civile, të bashkuar/a kërkojmë t’i japim fund dhunës dhe t’u themi të gjitha institucioneve në Kosovë dhe shoqërisë kosovare kundërshtimin tonë me një fjali të vetme: Mjaft më me arsyetime!”, thuhet në njoftimin e Shoqërisë Civile të Gjakovës.

Kjo protestë është organizuar si reagim kundër vrasjes së dyfishtë si pasojë e dhunës në familje, në Komunën e Gjakovës.

Në njoftim thuhet që dështimi në ofrim të mbrojtjes për gratë dhe vajzat që raportojnë dhunën çon deri tek vrasja e tyre nga ushtruesit e dhunës.

“Dhuna në familje është krim, dhe si e tillë duhet trajtuar”, thuhet në njoftim.

40 vjeçarja, Valbona Nrecaj dhe vajza e saj 9 vjeçare u qëlluan për vdekje mbrëmjen e 7 gushtit. Dorasi dyshohet të jetë ish-bashkëshorti i viktimës.

Seanca gjyqësore për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit për vrasjen e gruas dhe vajzës në Brekoc të Gjakovës e cila kishte filluar rreth orës 10:00 është ndërprerë pasi të dyshuarit Pjeter Nrecaj i është përkeqësuar gjendja.

Gazetarja e KALLXO.com ka raportuar se përkeqësimi i gjendjes ka ndodhur pasi prokurori ka lexuar pretendimet e prokurorisë për caktimin e paraburgimit.

I dyshuari qëndronte i shtrirë në sallën e gjykimit ndërsa gjykatësi ka urdhëruar publikun të dalë jashtë deri kur të vijë ambulanca, raporton gazetarja.

Në fjalën e tij para gjykatës prokurori i shtetit Agron Matjani ka ngritur pretendimin se Pjetër Nrecaj e ka kryer me dashje vrasjen e gruas dhe vajzës së tij 9 vjeçare.
Para gjykatës prokurori duke arsyetuar kërkesën për caktimin e paraburgimit ka thënë se “i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta anëtarët e familjes së tij bashkëshorten dhe vajzën 9 vjeçare”.

Në pretendimet e tij prokurori ka përmendur se qëllimi i të pandehurit ishte që ta bindë të ndjerën që të kthehet dhe të jetoj me të por kur ajo ka refuzuar i pandehuri ka kryer aktin.

“Në ditën kritike i pandehuri shkon tek shtëpia e vëllezërve të së ndjerës Valbona për ta bindur për të bashkëjetuar dhe duke qenë se e ndjera Valbona nuk ka dashur të shkon në shtëpinë e bashkëshortit të saj i pandehuri me armën AK-47 shtënë disa herë në drejtim të gruas dhe vajzës duke i privuar nga jeta”, thuhet në kërkesën e prokurorit.
I njëjti ka sqaruar se i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes për tu dorëzuar më pas në polici.

Seanca gjyqësore për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit për vrasjen e gruas dhe vajzës në Brekoc të Gjakovës është ndërprerë pasi të dyshuarit Pjeter Nrecaj i është përkeqësuar gjendja. Ai nuk ka arritur të deklarohet për pretendimet e prokurorisë.
Nrecaj është dërguar në spitalin e Gjakovës ndërsa gjykatësi i rastit ka thënë se seanca është shtyrë për një afat të pacaktuar.

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/proteste-ne-gjakove-pas-vrasjes-snenes-dhe-te-bijes-ne-brekoc-566001/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Baby Boo