Protesta në Drenovec të Tetovës, banorët e 35 shtëpive kërkojnë qasje në rrugë


Mbi 35 shtëpi të lagjes Bllok katërt në Drenovec të Tetovës janë të bllokuara prej vitesh dhe nuk kanë dalje në rrugë kryesore, ata sot kanë protestuar duke kërkuar urgjentisht nga komuna e Tetovës që të marrë masa dhe të gjejë një zgjidhje për këta banorë.
“Banorët kanë halle që të prishet ky objekt dhe ka vendim për rrënimin e saj dhe hapjen e rrugës. Rruga është e mbyllur për shkak të këtij objekti që askush nuk e shfrytëzon. Nga viti 2006, 2008, 2014 dhe 2017 ka pasur vendim për prishje dhe asnjë herë nuk është prishur. Për momentin jemi 36 shtëpi, mbi 100 parcela dhe fusha janë krejt pa rrugë”,- tha një protestues.
“Për momentin që kjo pjesë e lagjes të lirohet është këtu kjo depo, çka është kjo, duhet të prishet dhe të lirohet rruga përkohësisht, sepse duhet të hapen edhe rrugë tjera. Banorët  i kanë marrë  legalizimet, kur të bëhet legalizimi ne duam edhe kushte”,- deklaroi kryetari i BL-së, Bajram Kuci.
Komuna e Tetovës i ka pritur përfaqësuesit e protestuesve në ambientet komunale ku u ka premtuar se nga java tjetër kjo çështje do të zgjidhet.
“Sa i përket hapjes së rrugës së Blloku 4, në takim me protestuesit të cilët ishin këtu, u morëm vesh që të hënën nga ana e komunës të nënshkruhet kontrata më firmë, e cila është kontraktuese për rrënimin e objekteve dhe  të hënën në 11, bashkë me pjesëmarrësit, do të dalim në teren dhe të caktojmë ditën për rrënim të objektit”,- tha Arsim Nuredin nga Sektori për Rrugë dhe Tokë Ndërtimore.
Përndryshe, plani urbanistik për këtë lagje parasheh rrugë, por në realitet rruga nuk ekziston. Banorët kërkojnë që të ndërtohet sa më shpejt edhe rruga e Ratajës, e cila do të zgjidhte problemin shumëvjeçar të këtyre banorëve.
Baby Boo