Protesta e sotme, Krasnqi: Krenaria e shtetit tonë detyrohen të protestojnë ndaj kësaj Qeverie të paaftë


Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pas protestës së dy njësive elitare të Policisë së Kosovës, Njësiti Special Intervenues, dhe Njësiti për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, para Qeverisë së Kosovës duke thënë se këto pamje nuk është dashur t’i shohim kurrë, shkruan Reporteri.net.

Kreu i PDK-së ka thënë se këto dy njësite janë krenarie e shtetit, e ata po injorohen dhe nënçmohen nga Qeveria.

Krasniqi ka shkruar se pamjet nga protesta e sotme tregojnë të vërtetën e turpshme të kësaj “Qeverie të paaftë”.

“E vërteta e kësaj Qeverie! Këtë fotografi nuk është dashur ta shohim kurrë! Posaçërisht, pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të vendit tonë. Njësiti Special Intervenues dhe Njësiti për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, krenaria e shtetit tonë, detyrohen të protestojë para Qeverisë së vendit të vet, kundër injorimit dhe nënçmimit që po ju bëhet nga ta.
Përtej fjalëve boshe për Policinë e Kosovës, fatkeqësisht, kjo fotografi është e vërteta e turpshme e kësaj Qeverie të paaftë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Këto dy njësite elitare të Policisë thanë se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave, teksa kërkuan që të mos luhet me dinjitetin e tyre.

“Nuk do të zmbrapsemi deri në realizimin e tyre. Ftojmë kryeministrin dhe Qeverinë të ndërmarrin hapa konkretë në realizimin e tyre. Ju i nderuar kryeministër i dini shumë mirë rreziqet dhe kërcënimet që operatorët e këtyre njësive i bartin gjatë gjithë kohës, jo vetëm gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, por edhe në jetën private. Prandaj mos luani me dinjitetin tonë, me jetën e familjeve tona. Ne kemi dëshmuar vetën në shumë raste të kaluar dhe së fundmi në neutralizimin e grupit terrorist më 24 shtator. Kërkojmë që propozimin e dhënë për shtesat e rrezikshmërisë ta rishikoni dhe të pranoni kërkesat tona dhe presim që së shpejti të takohemi dhe t’i zgjidhim së bashku.

Kërkesat tona janë: Kategorizimin si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve dhe Rrezikshmëria të caktohet në 50 përqind të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës”, u shpreh përfaqësuesi i tyre./Reporteri.net/

Baby Boo