Protesta e gjashtë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike në Gostivar


Me marsh të shkurtër protestues dhe me tubim para selisë së HEC Mavrovë, një grup qytetarësh të Gostivarit shprehën pakënaqësi kundër vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Organizatorët e protestës, grupi i tifozëve “Kastrioti”, protestën e gjashtë e filluan nga qendra energjetike e konsumatorëve të EVN-së në Gostivar.

Në tubimin protestues para drejtorisë së HEC Mavrovë u lexuan kërkesat: Komisioni Rregullator për Energjetikë ta asgjësojë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 7,4 për qind, të ulet çmimi i energjisë elektrike për 20 për qind, ndërsa nga Qeveria kërkohet ta zvogëlojë TVSH-në e energjisë elektrike prej 18 në 5 për qind dhe ta ndërpresë monopolin e kompanisë private EVN.

Nga Këshilli organizativ që i organizon protestat kërkojnë nga KRRE dhe Qeveria t’i kuptojnë protestat në mënyrë serioze dhe shpejtë të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme.

“Në të kundërt, nuk na ngelet asgjë tjetër përveç të dëshmojmë padëgjueshmëri qytetare. Mos na detyroni ta përsërisim vitin 2001. Por jo me konfliktin e armatosur por me mospagesën e faturave”, tha Sali Jonuzi në tubim. Ai theksoi se është e papranueshme të paguhet çmimi më i lartë i energjisë elektrike në rajon ndërsa të kemi pagat më të ulëta.

Tubimi dhe dy objektet janë siguruar nga forcat policore dhe kaloi pa incidente. Tubimin e karakterizoi edhe një gjest i pazakontë. Disa fëmijë policëve të cilët ishin me mburoja u dhanë nga një lule në shenjë të vullnetit të mirë dhe mesazhit për mospasje të dhunës.

Baby Boo