Prolongimi i Ramazanit?
FETVA-ja (23/30)
Prolongimi i agjërimit të Ramazanit për shkak virusit Covid-19?
PYETJA: A ekziston justifikim fetar që të shtyhet agjërimi i Ramazanit për këtë vit, ashtu që do të agjërohet tridhjetë ditë tjera, kur do të jemi të sigurtë se nuk infektohemi nga virusi Covid-19?
PËRGJIGJJA: Allahu i Madhërishëm e ka bërë obligim agjërimin në muaj të caktuar, gjegjësisht në muajin e Ramazanit. Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<(ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues ( i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni>>[el-Bekare: 185]. Përcaktimin e agjërimit si obligim në muajin e Ramazanit, e vërtetojnë edhe shumë thënie autentike të të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Kështu, në hadithin të cilin e ka transmetuar Ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, qëndron se ka thënë: I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, tha: Islami ngritet mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka Zot tjetër pos Allahut, dhe se Muhamedi është i dërguar i Allahut, falja e namazit, dhënia e Zeqatit, bërja e Haxhit dhe agjërimi i Ramazanit”. Hadithin e kanë transmetuar Buhariu dhe Muslimi (Muttefekun alejhi). Po ashtu, përcaktimin e muajit të Ramazanit si kohë e agjërimit të obligueshëm, e konfirmon edhe hadithi të cilin e përcjell Ebu Hurejreja, Allahu qoftë i kënaqur me të, prej të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, se ka thënë:”Asnjë nga ju le mos të agjërojë një apo dy ditë para Ramazanit, me përjashtim nëse një person e ka bërë zakon të agjërojë në ditë të caktuar (dhe ka rastisur në këto ditë), atëherë le të agjërojë”. Hadithin e ka transmetuar Buhariu në Sahih-un e tij. Nga ky hadith kuptojmë se ndalohet të përzihet agjërimi vullnetar jo i obligueshëm në muajin Shaban, me agjërimin e obligueshëm në muajin Ramazan. Agjërimi i muajit të Ramazanit fillon me hyrjen e muajit të Ramazanit, dhe nuk bën të ngatërrohet me agjërim të ditëve të muajve tjerë, para apo pas muajit të Ramazanit. Nisur nga kjo, është ndaluar agjërimi i ditës së dyshimtë-jeumu shekk dhe agjërimi i ditës së bajramit, me qëllim që të përcaktohet fillimi dhe mbarimi i agjërimit të obligueshëm në një muaj të vetëm, e që është muaji i Ramazanit, pa shtuar dhe pa lënë mangët asgjë në këtë muaj.
Përcaktimi i agjërimit të obligueshëm në muajin e Ramazanit, është qëndrim konsensual i muslimanëve të hershëm e të vonshëm, pa mos dalur nga ky konsensus as edhe një person i vetëm.
Bazuar në sa u tha, muslimanët nuk kanë kompetenca ta prolongojnë agjërimin e muajit të Ramazanit në një muaj tjetër gjatë vitit. Kjo ngase definimi i mënyrës së adhurimit, dhe koha e kryerjes së tij, janë të përcaktuara ekskluzivisht nga Ligjvënësi i Madhërishëm, e që neve na janë kumtuar përmes shpalljes hyjnore. Kjo kërkon prej nesh që t’i përmbahemi asaj që ka përcaktuar shpallja hyjnore. Për më tepër që shkaku të cilin e përmend pyetësi si justifikim për prolongimin e agjërimit, gjegjësisht evitimin e infektimit nga virusi Covid-19, assesi nuk është i saktë. Por, në të kundërtën, agjërimi ka ndikim pozitiv në forcimin e imunitetit të trupit dhe afinitetin për t’u rezistuar epidemive.
prej arabishtes: Bashkim Aliu