Prokuroria Speciale nis hetimet për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit


Prokurori special Blerim Isufaj ka konfirmuar nisjen e hetimeve për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore. I kontaktuar nga mediat, prokurori Isufaj tha se hetimet kanë filluar, teksa shtoi se “nuk mund të thotë asgjë më shumë rreth rastit”. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot në një konferencë për media njoftoi për zhdukjen e mostrave të ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën e jashtëzakonshme të thirrur për media tha se mostrat e ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari janë zhdukur nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ministrja Haxhiu tha se ky është një akt i rëndë dhe kriminal.

“Mbrëmë në orët e vona jam njoftuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky është një akt i rëndë, ky është një akt kriminal. E kam njoftuar kryeprokurorin e shtetit Besim Klemendin dhe drejtorin e policisë Fehmi Hotin. Kam vizituar IML-në”, tha ajo. Ajo tha se në atë hapësirë të IML-së ku janë ndodhur mostrat kanë qasje vëtem 3 persona.

“Në mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe 1 epruvetë e lukthit. Nga kjo dy epruveta ia kanë dhënë Instututit Zvicëran dhe një policisë për ADN. Aktualisht sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak, 1 e urinës dhe 1 e lukthit. Në vendin ku rrinë epruvetat kanë qasje vetëm 3 persona, pra vetëm 3 persona i kanë çelësat ku ruhen mostrat”, tha Haxhiu. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është zotuar se autorët që kanë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga laboratori i IML-së, do të gjinden dhe rasti do të zbardhet.

“Situata e krijuar është tepër e rëndë dhe vendos fije dyshimi në gjithë Institutin e Mjekësisë Ligjore, por edhe në veprimtarinë e tij. Protokolli i vendit ku ruhen mostrat është shumë strikt dhe nëse ai ndiqet kuptohet qartë se kush janë përgjegjësit për këtë krim. Autorët do të gjinden dhe rasti do të zbardhet me çdo kusht, për këtë nuk ka dyshim e as kompromis”, u shpreh Haxhiu. Ajo shtoi se lidhur me rastin janë njoftuar institucionet përgjegjëse.

“Menjëherë pas konferencës do të merren masa me përputhje me përgjegjësitë”, tha ajo. E njëjta shtoi se një situatë e tillë nuk mund të tolerohet.

Baby Boo