Prokuroria Publike të hetojë keqpërdorimet e qeverisë VMRO-DPMNE-BDI në lidhje me botimin e librave?!


BIRN – Maqedoni ka hulumtuar projektet e qeverisë së kaluar BDI-VMRO-DPMNE me fokus të veçantë ka analizuar, se si janë mbështetur shtëpi botuese të ndryshme për libra universitar dhe libra tjerë.

Sipas këtij hulumtimi, vetëm 5 vitet e fundit, kompania tetovarë për produksion, marketing, dizajn, qarkullim dhe shërbime “Arberia Design” në 5 vitet e fundit, 93% prej të ardhurave të saja i ka realizuar nga marrëveshjet me shtetin dhe me institucionet publike, më së shpejti të udhëhequra nga kuadrot e BDI-së.

BIRN nxjerr në pah informacionin se kjo kompani është paraqitur me 20.000 euro si donator i BDI-së në zgjedhjet e vitit 2015.

Kjo qasje selektive e qeverisë VMRO-DPMNE-BDI ka bërë që disa shtëpi botuese fantome të ngriten brenda natës, ndërsa shtëpi të tjera botuese me përvojë shumë vjeçare të kanë probleme serioze financiare.

Drejtori i shtëpisë botuese Furkan ISM, Muhamed Murtezi në një prononcim për portalin Almakos ka thënë se ato si shtëpi botuese nuk kanë aplikuar asnjëherë për libra shkencor te ministria e arsimit. Por janë ndjerë të diskriminuar gjithmonë në të kaluarën nga Ministria e Kulturës.

“Dorën në zemër, ne si Furkan ISM nuk kemi aplikuar asnjëherë te ato konkurse si subjekt. Prandaj edhe nuk mund të ankohemi shumë. Ndërsa sa i përket Ministrisë së Kulturës, e di se aty gjithmonë kemi ngritë zërin, sepse ka pasë shumë padrejtësi e lidhje shoqërore, familjare a partiake. Po, aty jemi anashkaluar shumë si botues i vjetër, me pak tituj nga ministria, përderisa botues anonimusë janë financuar më shumë. “, deklaroi Murtezi për Almakos.

Azam Dauti nga shtëpia botuese “Shkupi” në një prononcim për portalin Almakos ka thënë se nëse sheh profilin e atyre që janë përkrahur nga qeveria për botimin e librave del që shumica prej tyre të mos janë botues librash, por agjenci përkthimesh, agjenci për dizajnime, etj.

“Nuk e di a bëhet fjalë për të njejtin hulumtim, që e lexova në portale për 1050 librat e përkrahur nga qeveria e mëparshme, por në atë listë të “botuesve” në letër, nuk pash më shumë se dy botues maqedonas dhe asnjë shqiptar. Të gjithë të tjerët (së bashku me atë që ka emër shqip) mund të quhen “botues” në letër (edhe pse dyshoj edhe për këtë), por identifikimi i tyre real është se ata janë shitës të pllakave, shtypshkronja, agjenci përkthimesh, dhe agjenci për disajnime etj. Nga kjo del që i tërë ai projekt për 1050 libra shkencor, arsimor, edukativ e kulturor, është realizuar për përfitime të parave e jo për të bërë libra. Aq më shumë,që edhe një sërë librash të tjerë diku rreth 1500, këta “botues” në letër, nuk kanë bërë libra për përdorim, por kanë bërë para përdorim të vetin dhe atë në emër të “librave madhor” e në kurriz të taksëpaguesve.”, deklaroi Dauti për Almakos.

Dauti thekson se ato si shtëpi botuese gjithmonë kanë marr pjesë nëpër tendere qeveritare për botimin e librave, por asnjëherë nuk kanë pasur sukses.

“Ne jemi krenar, që kemi bërë libra të zhanreve të ndryshme, e sidomos që lexuesit shqiptar i kemi ofruar 100 përkthime letrare të verifikuara dhe me shpërblime letrare ndërkombëtare dhe nga vendet që vijnë.  Kjo, nuk është shumë, por kur kihet parasysh që këto libra nuk janë bërë nga këto fonde të diskutueshme, krenaria jonë është edhe më e madhe Aq më shumë, që shumica e këtyre veprave janë afirmuar përmes Promovimeve transparente (ku gjithmonë kemi dhuruar me qindra libra në secilin promovim), në të cilat përveç lexuesve shqiptarë, kanë marrë pjesë edhe autorë dhe ambasadorë të shteteve të huaja nga vinin autorët, si ato suedez, turk, kanadez, estonez, BE-së në Shkup (Els de Groen, Sandra Kalniete, Mats Svatsen, Filip Pinington, Xhan Dyndar, Aivo Orav etj.).etj. Të gjitha promovimet tona kanë qenë publike dhe të përcjella nga mediat, ndërkaq, mbi dy mijë libra të botuar nga qeveria me tendere miliona eurosh, lere që nuk u kanë realizuar promovime, por  përveç fotografimit të kryeministrit dhe ministres së kulturës në Librarinë “qeveritare” në Qendrën Tregtare të Qytetit, shumica nga këto libra as që kanë shkuar në institucionet e parapara. Kjo, do të thotë, që qëllimi i atyre që i kanë kurdisur tenderet, nuk ka qenë bërja e librave, por bërja e parave, në kurriz të taksëpaguesve. “Shkupi” që nga viti 1996 disa herë ka tentuar të marr pjesë nëpër tendere qeveritare (që të mos arsyetohen “pushtetarët” shqiptarë, që nuk kishte botues shqiptarë për aplikim), por asnjëherë deri më tash nuk kemi pasur sukses. Tash e kuptoj, përse ne “nuk i kemi plotësuar kushtet” për të realizuar ndonjë projekt botues që i shpallte qeveria. Secili punon sipas bindjeve dhe parimeve të veta, ata le të vazhdojnë të bëjnë para, ne do të mundohemi të bëjmë libra. Por, e keqja e vetme është, që ata mund të identifikohen me gjithçka tjetër, që janë profesione të respektuara, por asnjëherë nuk mund të identifikohen si botues, sepse si duket nuk i paskan dashur librat, por paratë!”, deklaroi Dauti për Almakos.

Tutje Dauti thotë lexojeni listën e botimeve të përkrahura nga Ministria e kulturës në të kalarën dhe do e keni të qartë, se a janë përkrahur botuesit, apo janë përkrahur ata që identifikohen si shtypshkronja, firma shërbyese e tregtare, shoqata humanitare, universitete, shoqata për mbrojtjen e të drejtave njerëzore (!) etj.

Dauti shpreh shqetësimin e tij për atë se Prokuroria Publike ende nuk është marr me hetimin e projekteve skandaloze të qeverisë së kaluar për botimin e librave shkencor, por edhe librave tjerë.

“Ne vazhdojmë të jemi krenar, për produksionin tonë letrar, pavarësisht që qarqe qeveritare shqiptare, asnjëherë nuk e kanë çmuar punën tonë. Megjithatë, a nuk ka ndjenjë më të mirë, se sa, kur asociacioneve ndërkombëtare ua lëshon katalogun e botimeve të përkthyera nga “Shkupi”, dhe ata shprehin admirim për përkthimet tona që nga Estonia deri në Kanada?! Botuesit shqiptar, jo që janë anashkaluar nga këto programe marramendëse financiare, për të cilat, ne si “Shkupi” gjithmonë kemi reaguar, por janë shkelur në mënyrën më të vrazhdë institucionale, nga secila qeveri që ka ardhur dhe ka shkuar.  Madje, ndonjëherë për të ruajtur pastërtinë mendore dhe shpirtërore, dëshiron që të mos dish për keqpërdorimet që janë bërë në emër të librit dhe librit shqip, sepse edhe niveli i keqpërdorimit është aq ashiqare, sa që të gërditet të mendosh dhe analizosh këto marifetllëqe aq të dukshme, në emër të “librit shqip”. Lexojeni Listën e botimeve të përkrahura nga Ministria e kulturës dhe e keni të qartë, se a janë përkrahur botuesit, apo janë përkrahur ata që identifikohen si shtypshkronja, firma shërbyese e tregtare, shoqata humanitare, universitete, shoqata për mbrojtjen e të drejtave njerëzore (!) etj. Kur në Ministri të kulturës kulaçi i parave të ndara është shumë më i vogël, se atyre qeveritare, mund ta merrni me mend se cili ka qenë diskriminimi i botuesve shqiptarë në ato tendere dhjetëra milionëshe, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Këto ditë më ra në sy titulli “19 milionë euro për libra të papërdorshëm”. Ky studim kishte gjëra konkrete, që janë jo vetëm shqetësuese për opinionin, por do të duhej të ishte edhe më shqetësuese për drejtësinë. Nuk e kam të qartë, Prokuroria publike, a e heton këtë rast?!”, përfundon Dauti për Almakos.

Ndryshe, në të kaluarën siç mëson Almakos nga burime të mirë informuara disa shtëpi botuese kanë patur kontrolle të vazhdueshme nga policia financiare gjatë qeverisjes VMRO – BDI, e të cilat më pas janë akuzuar po nga këta parti gjoja se kanë bashkëpunim me VMRO-në, ndërkohë që shihet qartë nga hulumtimi i BRIN se cilat shtëpi botuese kanë marrë paratë e pushtetit VMRO – BDI

Baby Boo