Prokuroria jep detaje për arrestimin e Milaim Zekës

Zv/kryeprokurori i Prishtinës, Ibrahim Berisha e ka konfirmuar arrestimin e deputetit të Nismës, Milaim Zeka.

Berisha ka thënë për Gazetën Insajderi se Zekës i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

Ai ka bërë të ditur se arrestimi i deputetit të Nismës ka ardhur pas deklaratave të tij, ku kishte kërcënuar prokurorin Afrim Shefkiu.

“Po është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit kujdestar. Siç e dini ky ditëve të fundit në mjetet e informimit ka daluar me disa deklarata që janë në kundërshtim me ligjin dhe ne kemi vlerësuar se duhet me u ndalë për kanosje. Me urdhër të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit”, ka thënë Berisha.

Deputeti Zeka ditë më parë kishte thënë se do të merret edhe me kanun me prokurorin që e ka ngritur aktakuzën në rastin e tij për manipulimet me vizat.

“Ma përpara ia kisha falë nëse ma kish vra njërin prej fëmijëve në afekt sesa kështu me ia shkatërru njerëzve ëndrrat. Mua më kanë poshtëruar. Unë do ta ndjek këtë prokurorin tëm me gjyq, me kanun e edhe privatisht. Nuk ia fali kurrë poshtërimin. Se njerëzit tash thonë për mua: Kqyre ky hajni i vizave”, kishte thënë Milaim Zeka. /Insajderi.com