Projekti për vazhdimin e rrugës “Xhon Kenedi” në Çair, do të rrënohen shtëpi te mëhalla e romëve për dalje te Ambasada e SHBA-ve

Rruga “Xhon Kenedi” në Çair do të vazhdohet për tu lidhur me rrugën e Plastikave e për të dalë tek Ambasada e Amerikës. Qyteti i Shkupit ka filluar procedurën për përgatitjen e një projekti për rrugë të re, e cila do të kalojë nëpër mëhalla e romëve.
Projekti parasheh që rruga do të ketë katër korsi, nga dy në secilin drejtim. E për realizimin e këtij projekti shteti do të duhet të rrënojë dhe t’i shpronësojë disa shtëpi.

“Për realizmin e këtij projekti do të duhet të shemben diku rreth 30 shtëpi që ndodhen prapa nesh, me çka pronarët do të dëmshpërblehen, por le të shohim se çfarë mendojnë banorët e kësaj zone për këtë ide”.
“Këtu me vite thonë se duhet të shemben, por nuk është bërë. Me vite e me dekada thonë kështu. Ja shikone rrugën, fëmijët nuk kanë kah të kalojnë, të shkojnë në shkollë, katastrofë çfarë të them. Këtë pjesë askush nuk e sheh, për Tophanën askush nuk përkujdeset”, deklaroi banori i lagjes Fushtë Tophanë.

“Kundër, kundër po si… Kjo nuk mund të bëhet, kjo është Tophana e vjetër, ai nuk mund ta rrënojë. Tophana e vjetër ekziston që moti, ne jemi shkupjanë të vjetër, nuk do të lejojmë të ndodh, do të zgjohemi në grevë, Tophana nuk mund të rrënohet. Nuk jemi pak, jemi shumë këtu, nuk ka shanse të ndodh”, tha ky banor.
“Jo, jo, ne jemi në qendër e kemi mirë këtu. Tani pse njerëzit nuk kanë, janë të varfër, nuk kanë nga të marrin, pa punë… Unë këtu jam sa e sa vite”, u shpreh banorja.

Për momentin rruga që kalon përmes kësaj mëhalle është në gjendje të mjerueshme. Është e ngushtë, pa trotuare, përplot me gropa e mbeturina.
Nga Qyteti i Shkupit thonë se me këtë projekt do të mundësojmë rrjedhje më të shpejtë të trafikut dhe kohë më të shkurtër të udhëtimit.

“Plani është që këtë vit ta përfundojmë projektimin dhe vitin tjetër të fillojmë me punimet në terren, domethënë do të jenë të dukshme punimet edhe në terren. Për momentin kemi një kyçje aty, mirëpo ajo rrugë nuk e di a mund të quhet rrugë, pasi që nuk ka as trotuare, nuk ka as hapësirë të dukshme, për të kaluar veturat. Është mjaft e rre*zikshme për këmbësoret dhe njerëzit që jetojnë aty”, njoftoi zëdhënësi i Shkupit, Valon Salihu.
Projekti ka paraparë që punimet të nisin nga udhëkryqi ku kryqëzohen rrugët “Xhon Kenedi” dhe “Brigada Maqedono-Kosovare” deri në Bulevardin “Nikolla Karev”. Banorët pak ishin të informuar mbi këtë projekt, i cili pritet të nis me realizim vitin e ardhshëm.