Profesor Xhelal Zejneli letër nxënësit që ka ikur nga Maqedonia…


Shkruar nga profesor Xhelal Zejneli

Me rastin e ditëlindjes
I nderuar Naron!
Isha duke shkruar një artikull për përplasjen e reales me virtualen, kur mësova se këto ditë e paske ditëlindjen. Sakaq, e ndërpreva të shkruarit.

Ke qenë nxënës imi i dalluar. Klasa jote kishte 38 nxënës. Të gjithë të mirë dhe solidë. Një prej tyre, edhe Ti. I tërë brezi juaj ka qenë i mirë. Një ditë, mësova se ishe larguar nga vendlindja. Kishe vajtur tej detit, tej oqeanit. U shqetësova, u mallëngjeva. Ti s’je i vetmi që e ke lënë vatrën. Ka dhe të tjerë. Kombi ballafaqohet me ikjen e trurit. Trojet tona po rrallohen, shpopullohen. Për të rinjtë që po na shkojnë, vuajnë nënat, përmallohen anëtarët e familjes. Vitin e kaluar, në zyrën e profesorëve e pyeta për ty, tët amë. Vërejta se u shqetësua. U pendova për pyetjen e bërë. U përpoqa ta trimëroj. “E ke pasur nxënës” – më tha. U ndjeva përgjegjës, madje edhe fajtor. Njëri prej nxënësve të mi më të mirë, e ka lënë vendin. Dhe vatrën. Jote amë, profesoresha, ishte pedagoge e shquar. Ajo vinte prej një familjeje intelektualësh të mirëfilltë, me tradita arsimdashëse dhe iluministe. Atdhetare, mbi të gjitha.

Unë e di Naron, se ti s’e harron dot familjen. Prindërit që të nxorën në dritë, i ke në zemër, i ruan në shpirt. Thellë në shpirt. I kujton shokët e klasës dhe të gjeneratës. Gjuhën e bukur shqipe, e ke me vete. Me vete e ke edhe historinë e kombit, traditat, vlerat dhe virtytet e tij. Më kujtohet kur me rastin e Ditës së Pavarësisë, e këndonim në klasë himnin kombëtar. E këndonim pesë herë. Disa prej nxënësve e kishin me vete edhe flamurin e Gjergjit, të madhit hero, kryezotit të mesjetës. I mbështjellë me flamur, vije edhe ti. Ishit një brez nxënësish me prirje të veçantë për matematikë, informatikë dhe për shkencat e natyrës. Ju krenoheshit me prejardhjen tuaj ilire, me autoktoninë, me prejardhjen ilire të shqipes, me lashtësinë dhe pastërtinë e racës. Jeni bij të një populli që ia dha botës Nënë Terezën.

Ju ishit brezi i nxënësve që s’latë vepër të klasikëve të letërsisë botërore, pa e lexuar. Për lexim, ktheheshit thellë në lashtësi, deri te Gilgameshi legjendar dhe Homeri i verbët. Krenoheshit me enciklopedinë që ecën – Konicën, me Nolin liberator dhe me zërin e kombit, Fishtën. I soditnit yjet e Lasgushit madhështor, ndërsa artin kadarean e krahasonit me Kafkën dhe Markezin.

Edhe sot më ri ndërmend hartimi yt Naron, për shoqen e klasës e cila në lule të moshës kishte vajtur në qiell, te Beatriçja. Me të marrë lajmin e kobshëm, në fushën e sportit të shkollës, e ke ndërprerë ndeshjen e basketbollit. Me zemër të thyer, ishe nisur drejt shtëpisë së mësueses. Sakaq, retë e zeza të bjeshkëve të Sharrit, ishin shkarkuar.

Të rinjtë, shpresa e këtij populli, po shkojnë. Për mua, mësuesin tuaj, kjo është e dhimbshme.
Filozofi francez Monteskjë (Montesquieu) thotë: “Në radhë të parë jam njeri, francez jam rastësisht”. Kudo që të ndodhen nxënësit e mi, atyre u prin arsyeja. Ata e dinë se asgjë s’ekziston jashtë arsyes dhe përtej saj. Të rinjtë, nxënësit e mi, e dinë se duhet të krijojnë familje. Të krijojnë familje, kjo detyrë mbi detyra. Nxënësit e mi e dinë se vetëm puna me nder i mundëson njeriut që të jetë i lirë. Nxënësit e mi nuk kanë qenë robër të materiales. Ata çmonin vlerat shpirtërore.
Atje, në tokën e premtuar, lind pranvera. Pranvera plot lule, Naron, lind edhe në vendlindjen tënde. Qytetin rrëzë këmbëve të Sharrit, s’do ta harroni kurrë. Jeni rritur me flladin e valëve të Shkumbinit, që buron në majat e bjeshkëve e që hijerëndë, prekin qiellin e kaltër. Zogjtë shtegtarë ndërkaq, krahëlehtë vallëzojnë përmbi grunajat e fushës së Pollogut. Cicërima e tyre vajtueshëm rreh në ndërgjegjen tonë. Bisedat virtuale nuk i zbusin dhimbjet e nënave, as e shuajnë mallin e motrave. Një nëne, qielli i kaltër i fanitet si një det i pafund, në kërkim të një barke apo në pritje të një fluturakeje, nga përtej deti. Pritje pa fund, plot dhimbje dhe shpresë. S’e pret dot Godonë, pret shpirtin e vet.
Prof. Xhelal Zejneli

Baby Boo