Prof. Dr. Vullnet Ameti uron Ditën e Alfabetit


Të nderuar miq,
Në emër të Universitetit të Tetovës dhe në emrin tim personal, kam kënaqësinë e veçantë t’Jua uroj 112 Vjetorin e Kongresit të Manastirit – Alfabetit të gjuhës shqipe.
Kongresi i Manastirit është padyshim njëra ndër ngjarjet më të mëdha historike dhe kulturore e shekullit të kaluar për mbarë popullin shqiptar, të cilit i janë referuar dhe i referohen vazhdimisht historianë, gjuhëtarë, etnologë, intelektualë shqiptarë dhe të huaj.

Vendimet e kongresit që ishin kurorëzim i përpjekjeve të shumë brezave lëvruesish të shqipes sonë, u mirëpritën nga rrethet kulturore shqiptare brenda dhe jashtë vendit dhe u vunë menjëherë në zbatim.
Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin dhe për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi.
Përcaktimi i kombit shqiptar për alfabetin latin kishte për të një rëndësi të jashtëzakonshme. Një përcaktim i tillë ishte i natyrshëm. Kjo dëshmoi qartë se shqiptarët janë një popull evropian – pjesë e pandarë e qytetërimit perëndimor.

Ne, sot, përulemi me nderim për të gjithë aktorët e kësaj ngjarjeje kaq të madhe historike dhe me dinjitet e nderojmë ditën e Alfabetit shqip në përvjetorin e tij të 112 me radhë.
Gëzuar përvjetorin e shkronjave shqipe, gëzuar festat e nëntorit….
Prof. Dr. Vullnet Ameti
Rektor i Universitetit të Tetovës

Baby Boo