Produktet nga Maqedonia e Veriut i zëvendësojnë ato serbe në Kosovë


Ka më shumë se dy muaj që tregu i Kosovës ka nisur të pakësohet nga produktet e Serbisë. Vaji, gruri, pijet freskuese e të tjera janë zëvendësuar me produkte të shteteve të tjera. (https://www.lifesecure.com/)

Qeveria e Kosovës i ka ndaluar pothuajse të gjitha importet nga Serbia qysh më 15 qershor, kur forcat serbe kanë arrestuar tre policë të Kosovës.Ndërkohë që policët janë liruar për t’u mbrojtur në liri, masa e ndalesës së prodhimeve ka vazhduar.

Në Doganën e Kosovës konfirmojnë për REL se hyrja e prodhimeve serbe ka rënë dukshëm.

Në qershor dhe korrik të këtij viti, vlera e importeve serbe ka qenë afër 20 milionë euro, apo mbi 50 milionë euro më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Zyrtarë të Doganës sqarojnë se importet që kanë vazhduar, përfshijnë produkte të lëndës së parë dhe gjysmë-produkte që nevojiten për prodhimin final.

Në disa dyqane ushqimore që ka vizituar REL këtë javë në Prishtinë, vërehen mungesa ose sasi të vogla të produkteve serbe. Tregtarët thonë se ato që mbeten, janë importuar para datës 15 qershor.

Rritje importesh nga vendet tjera

Në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK) thonë se bizneset i kanë zëvendësuar tashmë shumicën e produkteve nga Serbia me produkte nga vendet e tjera.

“Disa kompani të huaja, që i kanë prodhuar produktet e tyre në Serbi, i kanë riorientuar bizneset tona te fabrikat që i kanë në rajon, për t’u furnizuar”, thotë kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut është bërë destinacion kryesor i bizneseve të Kosovës, sepse afërsia territoriale nuk e rrit transportin e mallrave, e rrjedhimisht as çmimin e tyre.

“Qytetarëve u janë ofruar produkte me kualitet të njëjtë dhe nuk ka ngritje të çmimeve, edhe pse [produktet] janë importuar nga një shtet tjetër”, thotë Rafuna.

Në muajin korrik, vlera e mallrave që kanë hyrë në Kosovë nga Maqedonia e Veriut, ka kaluar 30 milionë euro. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, bëhet fjalë për afër 8 milionë euro më shumë.

Rritje importesh është shënuar edhe nga vendet e tjera, si për shembull Gjermania: mbi 53 milionë euro korrikun e vitit të kaluar, afër 70 milionë euro korrikun e këtij viti.

Shtrenjtë…

Disa qytetarë të anketuar në Prishtinë, ankohen se çmimet janë të larta, “me apo pa produkte të Serbisë”.

“Sidomos produktet ushqimore”, thotë Idriz Sahiti. “Ka disa produkte të Serbisë ende në treg, por janë pak. Më mirë është kështu”, thotë ai.

“Duke e parë standardin tonë jetësor, çmimet janë të shtrenjta”, thotë Vehbi Asllani.

Në Kosovë, paga mesatare bruto është 520 euro, ndërsa minimalja sillet nga 130 deri në 170 euro.

Vitin e kaluar vendi e ka përmbyllur me normë mesatare të inflacionit gati 12 për qind, por, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, trendi, këtë vit, është në rënie.

Në Autoritetin e Konkurrencës së Republikës së Kosovës thonë se, pas ndalimit të mallrave serbe, janë përqendruar te monitorimi i çmimeve të produkteve bazë, por nuk tregojnë nëse kanë hasur në ndonjë parregullsi eventuale.

“Autoriteti i Konkurrencës do ta monitorojë/inspektojë situatën në tregun e produkteve bazë – miellit/grurit, vajit, sheqerit, qumështit – brenda kompetencave ligjore. Nëse gjen ndonjë parregullsi, do të reagojë sipas detyrës zyrtare”, thuhet në një deklaratë me shkrim të këtij institucioni.

Në rast të parregullsive të tilla, Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës parasheh gjoba nga 1.000 deri në 4.000 euro.

Baby Boo