Prodhimi i qumështit, blegtorët: “Nuk vlerësohet puna jonë”


Prodhimi i qumështit kërkon shumë mund dhe shumë shpenzime. Por askush nuk dëshiron të dëgjoj për hallet e blegtorëve. Për të ruajtur lopë dhe më pas për të prodhuar qumështin kërkon shumë angazhim, ndërsa vlerësimi është tejet i ulët. Qumështi nga blegtorët blihet për 29 denarë, ndërsa nëpër dyqane më pas shitet deri në 95 denarë. Blegtorët thonë se po punojnë me humbje dhe shumë borxhe dhe shumica e tyre po heqin dorë nga prodhimi.

“Nevojitet një ditë tepër e lodhshme pune, e cila fillon nga ora pesë e mëngjesit për tu kujdesur për lopët, të cilat më pastaj, nxirren jashtë për kullotë dhe të punohet deri në orën gjashtë të mbrëmjes kur edhe sillen sërish në fermë, për të arritur për tek ajo për të cilën mbahen, produkti final i tyre, qumështi”, raporton Bashkim Sulejmani.

Angazhimi për prodhimin e qumështit është tejet i madh. Ndërsa kur bëhet vlerësimi i mundit të tyre, dëshpërimi është edhe më i madh. Shpenzimet e blegtorëve janë marramendëse. Në të shumtën e rasteve punojnë me humbje dhe borxhe.

Një litër qumësht, i cili nëpër dyqane shitet deri në 95 denarë për litër, nga blegtorët merret vetëm për 29 denarë. Blegtorët thonë se shuma është shumë e ulët, nuk mbulon as harxhimet elementare.

“S’është aspak normal ky çmim, të paktën duhet të merret 40 denarë duke u bazuar në çmimin që shitet. Por s`kemi çka bëjmë se s`ka kush i kontrollon. Paramendojeni sa harxhime kemi nga pranvera që kam mbjellë ende kam borxhe të paguaj që kam bë mbjelljen, plehun artificial elbin grurin, ende s`mund ti mbërrij t’i paguaj harxhimet. Paramendojeni tani sa janë harxhimet. Një thes pleh 50 euro është. Me këto krerë që kemi vetëm që mbijetojmë si familje asgjë më shumë s`ka. Shteti jashtë mase është neglizhent, aspak s`ka interesim për bujqësinë, vetëm që dalin në televizione lavdërohen, në praktikë s`ka asgjë. Me humbje nuk punohet, edhe ashtu jemi duke shkuar kokë poshtë, por po vazhdoi kështu edhe këtë vit, vitin e ardhshëm do i shes krejt”, tha Ekrem Idrizi, fermer.

“Sivjet na kanë dëmtuar tepër sepse, plehrat artificiale kanë hipur tepër, nafta po ashtu, qumështi shumë pak, mishin shumë pak e marrin poashtu, por shpresojmë se do ndryshoje mos të kemi probleme nons top”, u shpreh Xhemalidin Nuhiu, fermer.

Ky nuk është problemi i vetëm që kanë fermerët. Ndër problemet kryesore, janë edhe subvencionet, si për qumështin po ashtu edhe për të mbjellat por edhe lopët, që shteti lere që nuk i lëshon në kohë, por i vonon me vite.

“Shumë na i vonojnë, pikërisht kur na duhen nuk na i japin. Na lëshojnë me vonesë. Të vitit 2021 vetëm për dy muaj na i kanë lëshuar për qumështin, të lopëve na i vonojnë, për shqerat po ashtu. Pikërisht kur e kemi vështirësinë më të madhe ne nuk i kemi. Kjo është problemi. Ma merr mendja se do ndryshoj se po vazhdoi kështu, zhvillimi i blegtorisë është afër zeros por edhe këto bagëti që i kemi, do i humbim të gjitha”, theksoi Xhemalidin Nuhiu, fermer.

Fermerët e Pollogut thonë se, nëse nuk ndryshon çmimi furnizues i qumështit, nuk do t’u japin më qumështin kompanive prodhuese, ndërsa nuk përjashtojnë as protestat. Nga dhjetëra blegtorë në Pollog, kanë mbetur vetëm tre, të cilët thonë se po shkojnë drejt “dorëzimit” si pasojë e neglizhencës së shtetit./Alsat.mk

Baby Boo