Problemet e bujqve nuk kanë fund


Bujqit e rajonit të Tearcës, kanë patur një sërë ankesash të cilët ia thanë në sy, zëvendësministrit të Bujqësisë Abdylshyqyr Abedini. Bujqit, ishin thirrur në një takim informues lidhur me ndryshimet për sa i përket ndarjes së subvencioneve por edhe për mënyrën e shfrytëzimit të tokës.

Por, një pjesë e bujqve theksuan se ka shumë burokraci për marrjen e subvencioneve dhe duhet që të ketë lehtësime dhe jo të vështirësohet mënyra se si të arrijnë deri tek mjetet që ndanë shteti për bujqit. Zëvendësministri Abedini tha se me ndryshimet e bëra, përparësi do të kenë bujqit që si veprimtari bazë e kanë bujqësinë.

“Kemi punuar shumë bashkë me bujqit që të sjellim një program të ri, e cila program do të detekton të gjitha problemet e vjetra të cilët i kemi pasur. Programin e ri të cilën e promovojmë dallon nga programi i vjetër, ku kemi 30 për qind avans të subvencioneve dhe 70 për qind të subvencioneve bujqit do të duhet t’i marrin nëse ata tregojnë prodhimin e arritur dhe të shitur në kapacitete vendore që për dallim nga e kaluar ku bujqit nuk është dashur që të tregojnë prodhimin e tyre të arritur. Ndryshim kemi bërë kësaj radhe se ne i japim përparësi për bujqit që si veprimtari bazë e kanë bujqësinë”, deklaroi zëvendësministri i Bujqësisë Abdylshyqyr Abedini.

Bujqit, kanë patur vërejtje lidhur me subvencionet, infrastrukturën rrugore për tek pronat e tyre bujqësore dhe sistemin e ujitjes. Krahas kësaj, bujqit janë ankuar se shpesh herë vonohen subvencionet. Zëvendësministri i Bujqësisë me këtë rast tha se do të paguhen të gjitha subvencionet e ngelura që nga viti 2015.

“Problem tjetër që paraqitet është vonesa subvencioneve dhe Ministria e Bujqësisë ka bërë analizë dhe me rebalanc të buxhetit të vitit 2022, qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndarë 2.7 miliardë denarë me të cilët do të paguhen të gjitha subvencionet e ngelura që nga viti 2015. Problem në teren të cilët hasin bujqit është infrastruktura. Ne si Ministri në këtë program që e promovojmë, kemi edhe program për zhvillim rural ku kemi rritur mjetet dhe do të intervenojmë në infrastrukturën që bujqit më lehtë të kryejnë aktivitetet e tyre të përditshme”, tha zëvendësministri i Bujqësisë Abdylshyqyr Abedini.

Nga Ministria e Bujqësisë thonë se janë duke bërë përpjekje që të vazhdojë edhe faza e dytë e projektit për ujitje, pasi që faza e parë është në realizim e sipër. Krahas këtyre vërejtjeve, poashtu bujqit janë shprehur se hasin edhe probleme që kanë të bëjnë me pronësinë e tokës që shfrytëzojnë. Ata që i kanë pronat e tyre me dokumente të rregullta marrin subvencione, kurse ata që e punojnë tokën dhe nuk kanë dokumente nuk marrin subvencione. Prandaj, është kërkuar që edhe në këtë pjesë të ndërhyhet që subvencionet ti merr ai që e punon tokën. (koha.mk)

Baby Boo