Pritje madhështore për Vjosa Omanin në Tetovë


Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani edhe njëherë konfirmoi raportet e mira ndërfqinjësore mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ajo tha se Tetova, ka qenë dhe është një streh për shumë gjenerata të Kosovës

Urim HASIPI

Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani i është organizuar një pritje madhështore në Tetovë. Ajo fillimisht është pritur nga kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami në komunën e Tetovës. Është kjo vizita e tretë brenda një harku kohor që në Tetovë qëndrojnë përfaqësuesit më të lartë të shtetit të Kosovës, pasi që në Tetovë qëndruan kryetari i kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca dhe kryeministrit Albin Kurti. Me këtë rast, presidentes së Kosovës Vjosa Osmani i është dhënë çelësi i qytetit nga ana e kryetarit Bilall Kasami dhe është hera e parë që një dhuratë e këtillë ndahet nga komuna e Tetovës

Pas takimit, kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se qyteti i Tetovës edhe njëherë është kthyer në qendër të vëmendjes pas vizitave të delegacioneve të larta nga Kosova. Kasami nuk harroi pa përmendur rrugën Tetovë-Prizren si një projekt i domosdoshëm për të përforcuar lidhjet mes dy vendeve. “Tetova si kryeqendër e shqiptarëve të Maqedonisë ka qenë ajo pika e bashkimit të shqiptarëve në Maqedoni e Kosovë dhe në kuadër të Jugosllavisë, kur ne kemi pasur të kaluarën tonë të përbashkët ku të gjitha sfidat i kemi ndarë bashkë. Me vizitën e kryeparlamentarit, të kryeministrit dhe të presidentes së Kosovës, ne përmbyllim vizitat e përfaqësuesve më të lartë të shtetit të Kosovës. Kjo tregon vlerësimin që kanë institucionet e Kosovës për Tetovën, tetovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë dhe falënderoj presidenten. Ne si komunë e Tetovës do të vazhdojmë të kultivojmë lidhjet tona me komunat e Kosovës dhe do të punojmë që të jemi afër dhe të rinjtë tanë ti kemi afër në sferën e arsimit, kulturës e sportit. Ne si komunë punojmë intenzivisht që rruga Tetovë-Prizren sa më shpejtë të jetësohet dhe të jetë në shërbim të qytetarëve të dy shteteve”, tha kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani edhe njëherë konfirmoi raportet e mira ndërfqinjësore mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ajo tha se Tetova, ka qenë dhe është një strehë për shumë gjenerata të Kosovës. “Tetova ka vërtet rëndësi të madhe për historinë tonë të përbashkët, ka qenë shtëpi për shumë veprimtarë, intelektualëve që kanë kontribuar shumë për kultivimin e raporteve mes shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në Maqedoni të veriut duke krijuar kështu një lidhje jashtëzakonisht të fuqishme e cila reflektohet në lidhjet e shumta familjare që ekzistojnë dhe në komunat e republikës sonë. Natyrisht se një kontribut në këto raporte ka dhënë edhe I ndjeri Arbër Xhaferi sot kisha nderin të ndajë urdhrin Hasan Prishtina, dhe ka edhe shumë të tjerë edhe në ditët e sotme që sigurohen që këto lidhje mes nesh të mbeten të forta. Kjo vizitë zhvillohet për të rikonfirmuar raportet e shkëlqyera që janë ndërtuar mes dy shteteve tona. Por, edhe duke rikonfirmuar rolin shumë kyç që kanë luajtur shqiptarët e Maqedonisë, në shtetndërtim, shtetformim dhe poashtu në rrugëtimin euroatlantik të këtij vendi. Kosova do të jetë përherë mirënjohëse për ndihmën e pakursyer që kanë dhënë shqiptarët e Maqedonisë dhe qytetarët e Tetovës na kanë dhënë në kohët më të errëta për ne, nga vitet e hershme të 90-ta e deri tek lufta në Kosovë por edhe si vend vendi ku gjetëm streh dhe prehej sa herë që kishim vështirësi”, tha presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Pas përfundimit të vizitës zyrtare në komunë, Vjosa Osmani rrugën deri tek shkolla fillore Liria e ka zhvilluar në këmbë ndërsa në të dy anët e rrugës kanë qenë fëmijët dhe qytetarët. Më pas ajo është ndalur edhe në sheshin e Tetovës, kurse më pas ka vijuar vizitën tek xhamia e pashës, për të përfunduar agjendën e saj me ligjëratë në Universitetin e Tetovës.

Baby Boo