Prishet në orët e para të mëngjesit Teatri Kombëtar në Tiranë, tensione mes policisë dhe protestuesve


Në Shqipëri, në orët e para të mëngjesit, mjetet e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit ndërhynë duke shembur godinën e Teatrit Kombëtar në Tiranë, ndërsa e gjithë zona u rrethua me forca të shumta policie, të cilat ndërhynë më parë forcërisht duke shpërndarë grupet e artistëve, qytetarëve dhe përfaqësuesve të opozitës që ndoeshin me ta.

Tensionet kanë vijuar për orë të tëra ndërsa mësohet se disa dhjetra persona, mes tyre artistë të ndryshëm që kundërshtojnë prej gati dy vitesh projektin për prishjen e Teatrit, si dhe drejtuesja e Lëvizjes socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, janë shoqëruar në polici. Mes të shoqëruarve dhe gazetari dhe analisti Alfred Lela.

Ndërsa e gjithë zona vijon të mbetet e rrethhuar dhe mjetet e rënda avancojnë me prishjen e godinës, tensionet mbeten të larta, me qindra persona po protestojnë ndaj veprimeve të autoriteteve.

Kryetari demokrat Lulzim Basha foli per dhunë barbare dhe paligjshmëri dhe njoftoi një mbledhje të opozitës për të vendosur qëndrimin që do të mbahet pas këtyre zhvillimeve: “Opozita do të mblidhet sot, koalicioni opozitar do të mblidhet sot dhe do të ndërmarrë veprimet politike. Ajo që çdo shqiptar e kupton sot nga kjo ngjarje është se me Edi Ramën paligjshmëria, dhuna dhe pabesia do të vazhdojnë. Nuk do të ketë fund dhuna, paligjshmëria edhe padrejtësia pa marrë fund kjo qeveri dhe pa u larguar ky njeri. Nuk ka rrugë tjetër”, deklaroi zoti Basha.

Pasi u lirua nga policia ku u mbajt disa orë, zonja Kryemadhi foli me tone të ashpra. “Iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të mos e njohin shtetin e Edi Ramës. Mos të njohin asnjë gjë, që është mbijetesë. Mos e përdorni fjalën revolucion se na shqetësohen ambasadat, iu duket fjalë e keqe por harrojnë që këlyshët e komunizmit i kanë aty dhe me ndihmën dhe pazaret e tyre”.

Baby Boo