Presion edhe ndaj Shqipërisë në Beograd, ekipi i boksit përcillet nga policia


Dje është hapur edhe zyrtarisht Kampionati Botëror i Boksit në Beograd, aty ku Kosova nuk po merr pjesë për shkak se nuk u lejua nga autoritetet serbe përkundër se u tentua tri herë pas konsultimeve me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe AIBA-n.

Ndalesa e ekipit të Kosovës sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës së Boksit Latif Demolli u bë për arsye të simboleve shtetërore të Kosovës. Një reagim rreth kësaj çështje dje erdhi edhe nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) duke e quajtur se veprim skandaloz të Serbisë.

Në media madje u raportua se KOKSH po e shqyrton mundësinë e mospjesëmarrjes në këtë kampionat për shkak të qasjes ndaj Kosovës por që kjo nuk ndodhi dhe sot Shqipëria është duke marr pjesë në këtë kampionat.

Duke folur për Radion Evropa e lirë, kapiteni i ekipit të Federatës së Boksit të Shqipërisë, Nelson Hysa ka thënë se ata janë paralajmëruar se në rast se e braktisin aktivitetin, mund të dënohen me 10 vite mospjesëmarrje ne çdo aktivitet që do të organizohet nga AIBA.

“Na është thënë se në rast të mospjesëmarrjes do të sanksionohemi me dhjetë vjet mospjesëmarrje në çdo aktivitet tjetër ndërkombëtar të AIBA-s”, tha Hysa.

Ai shtoi se gjatë hapjes zyrtare të Kampionatit, momenti i parakalimit të sportistëve nga Shqipëria me flamurin shtetëror, është përcjellë me fishkëllima dhe gjuajtje me gjësende të ndryshme.

“Normalisht, këtu(Beograd) jemi pa dëshirën tonë, kemi presion të vazhdueshëm. Kur dola me flamur të Shqipërisë, kishte brohoritje, fishkëllime, gjuajtje. Mbrëmë në hotel ka qëndruar Policia e Serbisë për shkak të sigurisë sonë”, shtoi Hysa.