Presidenti i Bullgarisë: “Bullgarët në Maqedoninë Veriut duhet të përmenden në Kushtetutë”


Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev gjatë qëndrimit në Bruksel për edicionin elektronik evropian Euroactiv tha se Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj. Siç raporton korrespondenti i MIA-s nga Sofja, për presidentin bullgar ky do të ishte një hap drejt zgjidhjes së kontestit ndërmjet Sofjes dhe Shkupit.

Sipas Radevit, konsiderohet se Bullgaria dhe Republika e Maqedonisë së Veriut janë në proces të rinegocimit të Marrëveshjes së Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë, por nuk është kështu.

“Jemi në proces të kërkimit të një mënyre për ta zbatuar më mirë këtë marrëveshje. Marrëveshjet duhet të respektohen. Ky është parakushti kryesor për të qenë anëtar i BE-së. Marrëveshjet e BE-së duhet të respektohen në të njëjtën mënyrë”, tha Radev.

Sipas tij, shqetësimi më i madh i Bullgarisë është se Republika e Maqedonisë së Veriut nuk i zbaton parimet dhe vlerat themelore të BE-së, siç janë të drejtat e njeriut dhe mosdiskriminimi.

“Katër vite më parë ne besuam se marrëveshja do t’i zgjidhte problemet në marrëdhëniet dypalëshe, njësoj si Marrëveshja e Prespës, por sot ka një vonesë në të gjitha pikat. Gjuha e urrejtjes kundër Bullgarisë po rritet, nuk ka vullnet politik për të hequr tekstet fyese në tekstet shkollore, nuk ka vullnet politik për të ndaluar falsifikimin dhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore dhe historike bullgare në këtë pjesë të botës”, tha Radev.

Sipas tij, trajtimi diskriminues i bullgarëve maqedonas ka dekada që vazhdon dhe se kjo duhet të ndalet. Radev njoftoi se sot mbi 120.000 qytetarë të Maqedonisë kanë nënshtetësi bullgare dhe ata, nënvizon Radev, nuk janë vetëm qytetarë bullgarë, por edhe qytetarë të BE-së, që do të thotë shumë për të drejtat e njeriut.

“Bullgarët maqedonas duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë me të gjitha grupet e tjera të njerëzve të përmendur në Kushtetutën e tyre. Këto janë parime, jo negociata. Ne duam të shohim rezultate të pakthyeshme dhe të qëndrueshme, ligjërisht të detyrueshme,” tha presidenti bullgar.

Republikës së Maqedonisë së Veriut iu deshën gjashtë muaj për të zbatuar Marrëveshjen e Prespës me Greqinë, madje ia ndryshuan emrin vendit të tyre, thotë Radev dhe pyet në mënyrë retorike pse është kaq e vështirë të shtohet një fjalë e vetme – “bullgarë” në Kushtetutën e vendit.

Baby Boo