Premtimi i Erdogan: Gjendja e jashtëzakonshme do të hiqet pas zgjedhjeve


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan theksoi se gjendja e jashtëzakonshme, në fuqi që prej grushtit të dështuar të shtetit në korrik 2016, do të hiqet menjëherë nëse do të rizgjidhet më 24 qershor.

“Gjëja e parë që do të bëhet… do të jetë heqja e gjendjes së jashtëzakonshme”, deklaroi presidenti turk në një intervistë televizive të publikuar sot.

Pak kohë më parë, Erdogan kishte konfirmuar se ky regjim përjashtues, kritikuar nga opozita dhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, do të hiqej vetëm kur kërcënimi terrorist të ishte eliminuar në Turqi.

Por, javën e kaluar, në sfondin e fushatës zgjedhore, që duket më e vështirë nga sa ishte parashikuar, ai kishte konfirmuar se po mendonte heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme pas zgjedhjeve.

Erdogan do të kërkojë më 24 qershor një mandat të ri me pushtete të riforcuara, miratuar me referendum në prill të 2017.

Heqja e gjendjes së jashtëzakonshme është përmendur rregullisht nga partitë kryesore të opozitës dhe është një prej temave kryesore të fushatës së Partisë Republikane të Popullit (CHP), kandidati i të cilës për postin e presidentit, Muharrem Ince, njohu një sukses që mund të vendosë në vështirësi Erdogan.

Baby Boo