Prej sot mund të hyni në Maqedoni, por vetëm transit, pa u ndalur

Maqedonia e Veriut prej sot në orën 08.00 të mëngjesit ka hapur kufijt për shtetas të huaj, që kalojnë transit nëpërmjet vendit dhe kanë si destinacion shtetet e tjera.

Ky vendim është sjellë mbrëmë nga Qeveria, në formën e një protokolli për transit të papenguar të shtetasve të huaj nëpër territorin e vendit.

Me këtë rregullore është hapur edhe Aeroporti i Shkupit. Masa parasheh që shtetasit e huaj përveç se me makina dhe autobusë, mund të qëndrojnë transit edhe në aeroportin e Shkupit. Por deri tani Qeveria nuk ka dhënë ndonjë datë se kur mund të hapet aeroporti i Shkupit për këto nevoja.

Shtetasit e huaj që udhëtojnë në vendet e tjera dhe që transit kalojnë nëpër Maqedoninë e Veriut, mund të shfrytëzojnë këto vendkalime kufitare: Tabanoc, Deve Bair, Bogodoricë, Qafë Thanë, Bllacë.

Transiti nënkupton hyrjen në njërin nga këto kufij, ndërsa ndalohet që të dilni nga autostrada apo rrugët e tjera për të hyrë në ndonjë qytet apo vendbanim. Ky udhëtim i juaj brenda territorit të Maqedonisë së Veriut duhet të mos kalojë 5 orë. Për këtë çdo shtetas i huaj e plotëson një deklaratë në kufi për të treguar se nga cila pikë tjetër kufitare do të dal. Po ashtu në dalje janë të obliguar që deklaratën t’ia dorëzojnë policisë kufitare, ku do të kontrollohet orari i lëvizjes dhe se a janë tejkaluar 5 orët e nevojshme.