Prej sot dizeli dhe benzina me çmime më të larta, ja detajet


Akciza për derivatet e naftës është rritur për tre denarë. Ky është vendimi i Qeverisë, si masë anti-krizë. Sipas zëdhënësit të qeverisë, Muhamed Hoxha, vendimi nuk do të ketë pasoja negative as për qytetarët as për kompanitë. Nëse vendimi vazhdon deri në shtator, në buxhet do të derdhen 18 milion euro shtesë të nevojshme për ballafaqimin me virusin korona.

Me rënien e çmimit të naftës për 20 denarë nga fillimi i vitit e deri më tani, ndryshimi i çmimit të akcizës është i parëndësishëm në krahasim me këtë ulje të madhe. Pohimi se rritja e akcizës do të ndikojë negativisht ndaj çmimeve dhe se do të pësojë veprimtaria e transportit apo veprimtari tjera lidhur me derivatet e naftës, financiarisht nuk qëndron dhe si i tillë, pohimi është i pabazë. Para se të merret ky vendim, janë marrë parasysh të gjitha këshillat dhe analizat e ekspertëve dhe të gjitha palët e përfshira – deklaroi Muhamed Hoxha- zëdhënës.

Me akcizën e rritur, Komisioni Rregullator tashmë i publikoi çmimet e reja të derivateve. Prej në mesnatë, çmimet e karburanteve janë rritur për 3,12%. Çmimi i Euro Super 95 dhe 98 rritet për 3,5 denarë, ndërsa Euro Dizeli rritet për 1,5 denarë.

KRRE
EUROSUPER-95 – 52.00 DENARË
EUROSUPER-98 – 54.00 DENARË
EURODIZEL – 46.50 DENARË

Qeveria nuk e pranoi kërkesën e Odës Ekonomike për barazimin e akcizës së vajit ekstra të lehtë me atë të dizelit për t’u shmangur keqpërdorimet e këtij karburanti duke e përdorur atë si karburant për automjetet. Ndaj këtij vendimi reaguan edhe nga Makpetrol dhe pyetën, nëse me refuzimin e kësaj kërkese Qeveria mbron biznesin dhe interesin e dikujt./Andrea Çobanova

Baby Boo