Prej nesër lokalet do të punojnë deri në ora 21:00, në shkurt deri në …


Prej nesër kthehet orari paraprak për kafeterintë, restoranet dhe objektet e tjera gastronomike, të cilat do të kenë të drejtë të punojnë deri në orën 21:00. Por edhe ky kufizim ka gjasa të ndryshojë dhe orari të shtyhet deri në ora 23:00. Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytiqi, paralajmëroi sot se zgjatja e sërishme e orarit të punës do të shqyrtohet gjatë javës së ardhëshme, por vendimi përfundimtar përsëri do të varet nga situata epidemiologjike.

“Sipas sugjerimeve të komisionit për sëmundje ngjitëse, javën e ardhshme do ta shqyrtojmë mundësinë për të zgjatur orarin e punës nga ora 21:00 në ora 23:00. Por duhet të theksojmë se çdo masë që e sjellim, veçanërisht për punën e objekteve gastronomike, duhet patjetër të shkojë krahas me qëllimin primar dhe ai është shëndeti i qytetarëve”

Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, Bytyqi ka thënë se nuk pajtohet me konstatimin e Odës së Pavarur të Hotelerisë se hotelierët nuk janë mbështetur kundrejt të gjithë sektorëve të tjerë. Ai është shprehur i hapur për komunikim me të gjithë, por thotë se në periudha të vështira, të gjithë duhet të jenë të arsyeshëm në pritjet e tyre dhe mundësitë reale.

“Jam i hapur të komunikoj madje edhe me ata që kanë qëndrime të kundërta pa dallim nëse ata paraqesin vetëm një grup të vogël të njerëzve apo paraqesin një grup më të madh të subjekteve ekonomike. Kishte një periudhë të prononcimit për grumbullimin e propozimeve për masat. Do t’i shohim dhe do të bisedojmë, por duhet të kuptojmë se në këto kohë të vështira, të gjithë duhet të jemi të arsyeshëm në pritjet dhe mundësitë”

Duke ju përgjigjur ankesave të hotelierëve për mënyrën e mbështetjes financiare nga pakot ekomoike të Qeverisë, zëvendëskryeministri Fatmir Bytiqi tha se të gjithë sektorët e krizës po mbështeten dhe trajtohen në mënyrë të drejtë nga Qeveria, por në përputhje me mundësitë ekzistuese.

Baby Boo