Pranvera sjell me vete edhe alergjitë


Këta pacientë është e preferueshme që gjatë kohës kur fryn era të qëndrojnë në shtëpi dhe dritaret t’i mbajnë të mbyllura
Urim HASIPI

Gostivar, 3 prill – Ardhja e pranverës dhe çelja e pemëve jo për të gjithë qytetarët është e mirëseardhur. Kjo periudhë në të shumtën e rasteve ka pasoja për ata persona që kanë alergji nga poleni i bimëve dhe pemëve. Mjekët që merren me trajtimin e këtyre pacientëve theksojnë se në këtë kohë koncentrimi i polenit në ajër është më i madh, kurse zakonisht atakohen organet e frymëmarrjes tek kjo kategori i pacientëve. Sipas mjekut Nasir Musliu, pacientët me alergji në këtë periudhë kanë disa simptoma, si zënia e hundëve, teshtitje të shpeshta, skuqje të syve, lotim të syve si dhe vështirësi në frymëmarrje.

“Është karakteristike se në këtë periudhë dominojnë alergjitë që atakojnë organet e sipërme të frymëmarrjes. Më shpesh në këtë kohë kemi të bëjmë me alergjitë që atakojnë mukozën e hundës dhe forma e paraqitjes së alergjisë quhet Rinit. Kjo sëmundje manifestohet me teshtitje të shpeshta, të cilët janë të tepruara, të padurueshme për pacientët që kanë alergji, zënia e hundëve është e theksuar, po ashtu edhe rrjedhja e hundëve është prezent tek pacientët. Në disa raste, pacientët kanë edhe kollitje. Është koha kur alergjitë janë të shkaktuara nga poleni, e cila është një proteinë në lulet e bimëve dhe të drunjve. Në këtë periudhë të vitit fillon lulëzimi i natyrës, por për disa persona ky lulëzim është i dë*mshëm” pohon mjeku Musliu.

Ai konsideron se nëse kjo sëmundje nuk trajtohet në kohë mandej pacientët kanë komplikime të tjera sidomos në organet e poshtme të frymëmarrjes. Sipas tij, është më se e nevojshme që pacientët në kohë të marrin masa parandaluese dhe të marrin terapinë e shkruar nga mjekët specialistë. “Nëse kjo gjendje paraqitet tek pacienti dhe nuk parandalohet në kohë, atëherë mund të shkaktohen edhe komplikime tjera e që mund të shndërrohen në sinuse, sëmundje të veshit e kështu ne radhë. Të njëjtat komplikime mund të barten edhe tek organet e poshtme respiratore.

Është me rëndësi që të nënvizojmë se parandalimi është masa më e mirë për të mbrojtur organizmin. Më rrezik është kur ka paraqitje të erës dhe atëherë nëse pacientët janë jashtë, sigurisht se do të ketë komplikime më të mëdha ngase grimcat e polenit shpërndahen gjithandej”, thekson mjeku Nasir Musliu.
Ai nënvizon se këta pacientë është e preferueshme që gjatë kohës kur fryn era të qëndrojnë në shtëpi dhe dritaret t’i mbajnë të mbyllura.

Por, si edhe në raste të tjera, edhe me alergjitë ka pacientë të pakujdesshëm, të cilët tentojnë të vetë kurohen me medikamente duke ngatërruar barnat për alergji me ato të virozëve të ndryshme në këtë periudhë e që është shumë e dëmshme, pohojnë mjekët. Aktualisht kryhen dy lloje të testeve ku konstatohet se pacienti vuan nga ndonjë alergji dhe për çdo dyshim qytetarët duhen të drejtohen tek mjekët. Sipas statistikave botërore, çdo i pesti person i rritur dhe çdo i katërti fëmijë vuan nga ndonjë lloj alergjie. Shumë qytetarë në këtë periudhë të vitit preferojnë daljet në natyrë pas mbylljes së gjatë në dimër dhe lëvizjeve të kufizuara, prandaj mjekët apelojnë që personat të cilët i kanë këto simptoma të jenë më të kujdesshëm gjatë qëndrimit në natyrë.

Baby Boo