Pollog, deponi të vogla në vend të zgjidhjes afatgjatë


Pothuajse i gjithë Pollogu po përmbytet në mbeturina të cilat me ditë të tëra, nuk transportohen në vendet e duhura. Këtë gjë e pranojnë edhe nga komuna e Bogovinës. Drejtori i ndërmarrjes komunale Sharri, Nebi Ademi, për Alsat është shprehur se, zgjidhja e vetme për këtë problem, është rregullimi i Rusinos në Gostivar.

“Është sezon i bërllogut, i mbeturinave, sepse në këtë periudhë të vitit mërgimtarët kthehen nga mërgimi dhe normal shtohet sasia e mbeturinave. Problemi tjetër është se jo vetëm Pollogu, por shteti, pra Maqedonia por edhe rajoni ballafaqohet me këtë problematikë. Pra, ende nuk kemi një zgjidhje afatgjate sa iu përket mbeturinave në tërë regjionin”, tha Nebi Ademi, Drejtor i NPK Sharri.

Situatë e ngjashme është edhe në komunën e Vrapçishtit. Kreu i kësaj komune, shprehet se, faji Qëndron tek Qeveria e cila i ka marrë në kompetencë dhe nuk po bën asgjë, ndërkohë sipas tij, nuk mungojnë edhe bllokimet nga banorët e Rusinos, për transport të mbeturinave.

“Realisht është problem i përbashkët, deponia Rusino dhe Qeveria. Ne si kryetar komunash më nuk kemi ingerenca dhe nuk mund të ndërhyjmë. Tani është krijuar kaso si nga qytetarët edhe kompanitë që hedhin atje, sepse u premtua se gjoja do të ketë intervenim atje por ky premtim ende nuk ka filluar dhe prandaj në këtë situatë ndodhemi për momentin i gjithë rajoni”, tha Isen Shabani, kryetar i komunës së Vrapçishtit.

Fatkeqësia e gjithë kësaj është se komunat rurale kanë filluar secila në vete të krijojnë mini deponi nëpër fushat e Pollogut, të cilat, ashti siç edhe keni mundur të shihni ditëve të kaluara në Alsat, gjatë natës i djegin, sepse nuk kanë mundësi tjetër se ku t`i hedhin. Ndërkohë që, Qeveria e cila mori ingerencat për menaxhimin e këtij problemi ende nuk hedh hapin e parë në këtë drejtim”.

Së shpejti, është paralajmëruar edhe reagim i ashpër i organizatave joqeveritare, të cilat, mllefin e tyre kundër krijimit të deponive nëpër fusha, thonë se do ta manifestojnë përmes protestave masive.

Baby Boo