Policia rrugore pajiset me kamera mobile


Ministria e Punëve të Brendshme pranoi nga ambasada e SHBA-së në Shkup edhe kamera të tjera mobile për njësitin e policisë rrugore dhe sektorin për punë kufitare.
Me këtë donacion u rrumbullakua projekti për pranimin e 593 kamerave për xhirim me kamera mobile, që kap vlerën e 1 milion e 61 mijë dollarëve.

“Kamerat mobile tashmë janë vendosur në funksion këtu në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Ohër në pesë pika kufitare si edhe në Njësitin mobil për masa kompenzuese, ndërsa deri në fund të muajit do të fillojë përdorimi edhe në Veles, Shtip dhe Strumicë. Këto kamera i sigurojmë që ti përkrahim përpjekjet e MPB-së dhe Byrosë për siguri publike të ndërtojnë shërbim policor modern dhe transparent”, tha Erik Mejer, Ushtrues i punëve në Ambasadën e SHBA-së në RMV.

Ministri i Punëve të brendshme, Oliver Spasovski tha se sistemi për xhirim rritë cilësinë e veprimit të policisë, por edhe dokumentimin cilësor të shkeljeve në komunikacion.

“Jam krenar që në një interval kohor të shkurtër, arritëm që në Ministrinë e Punëve të Brendshme në mënyrë dinamike dhe efikase, të realizojmë shumë projekte reformuese dhe detyra, të harmonizuara me nevojat reale të policisë, në të gjitha njësitë organizuese, e me të vetmin qëllim, si për rritjen e kapaciteteve materiale-teknike për punën e ministrisë, ashtu edhe për harmonizimin dhe standardizimin e saj me kriteret euroatlantike të punës dhe funksionimit të policisë”, u shpreh Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Zbatimi i sistemit të Kamerave Mobile filloi në vitin 2016 në Njësinë mobile për siguri në komunikacionin rrugor. Autoritetet thonë se vendosja në funksion e Kamerave mobile ka pasur efekt pozitiv në raportin mes policëve dhe qytetarëve të cilët janë ndaluar për shkelje në komunikacion./Alsat.mk

https://www.youtube.com/watch?v=g_b9FYjeb98&feature=emb_err_woyt

Baby Boo