Policia pret urdhër nga Gjykata për të hyrë për të bërë bastisje në VMRO DPMNE në kërkim të ish kryeministrit Nikolla Gruevski.
Sipas të dhënave nga terreni, Gruevski nuk gjendet as në selinë e partisë opozitare, dhe në opinion qarkullojnë spekulime se ai mund të ketë lënë vendin.
Një nga spekulimet është se ai mund të jetë larguar edhe drejt Beogradit. Ende mbetet e paqartë dhe Gjykata nuk ka dhënë vendim drejt MPB-së as për fletëarrest ndërkombëtar. Në garë me kohën, Gruevski duket se ka përfituar mjaft kohë për t’u fshehur.
Në rrjete sociale përflasin edhe ndihmën e mundshme edhe të presidentit Ivanov, qoftë për fshehje brenda vendit apo edhe jashtë. Megjithatë, zyrtarisht nuk ka asnjë info për të.
Spekulime edhe për ndonjë marrëveshje të mundshme të fshehtë politike mes opozitës dhe pushtetit, por gjithsesi, ky rast tregon edhe njëherë plogështinë e autoriteve gjyqësore dhe policore për të penguar arratisjen e mundshme të Gruevskit.
Ndërkohë, VMRO DPMNE ka njoftuar për një konferencë për shtyp lidhur me ngjarjet e fundit, zhvillimet dhe spekulimet që qarkullojnë në opinion mbi deputetin e tyre Gruevski dhe arratisjen e mundshme të tij.