Policia: 38 vjeçari i vrarë nga Tetova ishte me antiplumb, automatik dhe gjuajti bombë dore drejt policisë


Policia e ka vrarë J.R. nga fshati Llërcë, i kërkuar me fletë-arrest qendror dhe ndërkombëtarë për mbajtjen e dënimit me burg në kohëzgjatje prej 26 vjet e 9 muaj, informojnë nga policia, njofton Portalb.mk.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit, në shtëpinë e J.R., në fshatin Llërcë, gjatë ndërmarrjes së masave për privimin nga liria, ai ka gjuajtur bombë dore drejt zyrtarëve policor, ndërkaq më pas është arratisur, i veshur me jelek antiplumb, i armatosur me pushkë automatike me fishekë plumbash, me karabinë, pistoletë dhe katër bomba dore. Gjatë përpjekjes së dytë për arrestimin e tij, rreth 200 metra nga shtëpia e tij, personi përsëri ka hapur zjarr ndaj forcave policore, ndërkaq më pas duke tentuar të gjuajë edhe bombë dore ndaj tyre, policia ka gjuajtur dhe e ka vrarë personin në fjalë”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Nga viti 2000 deri në vitin 2016, kundër J.R., deri te Prokuroria Themelore Publike Shkup janë dorëzuar gjashtë padi penale për kryerjen e 16 veprave të rënda penale “vrasje”, “vrasje në tentativë’, “vjedhje”, “privim nga liria në mënyrë të paligjshme”, “armëmbajtje pa leje”, por edhe veprat penale “vjedhje e rëndë”, “vjedhje të armatosur”, “vjedhje të automjetit”, “lëndim të rëndë trupor” dhe “pjesëmarrje në rrahje”.

Në vendin e ngjarjes ka shkuar prokurori, ekipi i ekspertizës së policisë së Tetovës, mjeku i mjekësisë gjyqësore dhe shërbimet profesionale nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ndryshe, ashtu siç njoftuam edhe më herët, personi i vrarë është Jeton Rexhepi, i njohur me nofkën Llapi.

Baby Boo