Policia, 17 orë mes miliona eurove për numrat e serive


Pas “aksionit” për numërimin e rreth 3.4 milionë eurove, Policisë së Durrësit i janë nevojitur edhe 17 orë të tjera punë për të shënuar të gjitha numrat e serive të parave të sekuestruara.

I gjithë procesi është zhvilluar për gati një ditë e një natë pa ndërprerje, derisa të gjitha kartëmonedhat janë skanuar një për një, me qëllim dokumentimin e numrave të serive. Kjo është një procedurë e zakonshme në rastet e sekuestrimit të parave.

Dje në mëngjes përfundoi edhe kjo procedurë, nga ku më pas, sipas burimeve të Policisë, me një eskortë të përforcuar është bërë transportimi i shumës së parave nga Drejtoria e Policisë së Durrësit në Bankën e Shqipërisë, për llogari ende të Prokurorisë. Katër personat e arrestuar për sasinë 3 milionë e 470 mijë euro, që u bllokua mesditën e së dielës, (24 qershor), në Portin e Durrësit pritet të dalin sot në Gjykatën e këtij rrethi për t’u vlerësuar masa e sigurisë.

Më pas, çështja do t’i kalojë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kjo, sipas burimeve, për shkak se ndaj të arrestuarve, krahas akuzave të referuara nga Policia, do t’i shtohet edhe ajo e “grupit të strukturuar kriminal”, vepër e cila është në kompetencë hetimi nga Krimet e Rënda.

Burime të Prokurorisë së Durrësit bënë të ditur se deri më tani të katër të arrestuarit kanë mohuar të kenë pasur dijeni për sasinë e parave të gjetura në dy automjetet e sekuestruara, ndërsa vijojnë kërkimet për dy kushërinjtë Vladi. Dyshohet se personat që janë arrestuar, por edhe dy kushërinjtë Vladi që janë shpallur në kërkim, kanë vetëm rolin e transportuesit, ndërsa të tjerë persona dyshohet se fshihen pas sasisë së madhe të parave.

Alban Mollaymeri ka pohuar se ishte kontaktuar nga Alfred Vladi për të blerë disa automjete për kompaninë e tij, e cila nga verifikimet rezulton e hapur në muajin maj të këtij viti. Hetimet janë përqendruar edhe ne dy personat, të cilët janë shpallur në kërkim. Mësohet se ka nisur hetimi edhe brenda institucionit të Policisë së Shtetit, për identifikimin e zyrtarëve të cilët dekonspiruan dhe dhanë informacion te kreu i opozitës Basha, para se të niste operacioni.

Ky i fundit e paralajmëroi operacionin në seancën parlamentare të së enjtes, ndërkohë që aksioni finalizoi tri ditë më pas. Hetimi ka nisur nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, duke verifikuar të gjithë rrethin e personave që kanë pasur informacionin.

Baby Boo