“Po bej një gjë për ato letrat…”: A po fshihet një krim i përbindshëm në Durrës? (VIDEO)


Prokurorët kanë shkuar këto dy ditë në Bashkinë e Durrësit për të marrë dosjet e lejeve të ndërtimit të dhëna gjatë viteve të fundit por aty nuk kanë gjetur asgjë.

Siç raporton Abc News, çuditërisht, në bashkinë e dytë më të madhe në vend, në një akt të paprecedent, nuk gjenden dosjet e lejeve të ndërtimit.

Kjo nuk duket aspak e rastësishme që ndodh fill pas tërmetit shkatërrues me 51 viktima, ku pas fazës së emergjencës tani është koha për të gjetur përgjegjësit e kasaphanës me ndërtimet kuturu që varrosën dhjetra shqiptarë nën beton dhe hekur.

Duken qartë gjurmët e fshehjes së një krimi makabër dhe kjo po bëhet në sytë e të gjithë shqiptarëve, ndërkohë që kryeministri i vendit i ka marrë peng 24 orë në TV mes frikës së pushtetit dhe terrorit të tërmetit.

Konstatimi i prokurorëve vjen pak orë pasi në një video të publikuar nga Rama duket momenti kur Vangjush Dako, i nxjerrë nga dera e bashkisë, por i futur nga penxherja sëfundmi, i thotë se “do bëjë diçka me ato letrat” (shiko videon).

Do të ishte abuzim nëse thuhej se letrat “për të cilat Dako do të bënte diçka” janë pikërisht dosjet e lejeve të ndërtimit dhe ne nuk themi këtë, por zhdukja e dosjeve koinçidon pikërisht me këtë moment.

Vetëm në dy raste janë zhdukur menjëherë provat e krimit gjatë viteve të fundit në Shqipëri: E para ka qenë më datë 21 janar, kur u fshinë pamjet e vrasjeve nga serveri si edhe kësaj radhe, ku në bashkinë e Durrësit nuk gjenden dot emrat e personave që kanë firmosur mbi lejet e ndërtimit të përbindëshave të betonit që morën nën to dhjetra shpirtra.

Baby Boo