Pikë e re kufitare, lidhja hekurudhore Shkup – Durrës dhe krijimi i “portit të thatë” në Strugë, Grubi propozon tre konkluzione


Zëvendës kryeministri Artan Grubi, në mbledhjen e sotme ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë propozoi tre konkluzione shtesë, për të cilat tha se shpreson që të miratohen në mbledhjet e ardhshme mes dy Qeverive. Grubi propozoi hapjen e një pike të re kufitare, e cila do të mundësonte lidhje më efikase në lidhjen e autostradave të dy vendeve në Korridorin 8, ku punët pritet të fillojnë në mars të vitit 2023.

“Me shpresë që do të bëhet një vendkalim tjetër, jo në Qafë Thanë , por pak më poshtë, i ri mes dy vendeve tona, që do të ulte koston me dhjetëra milionë euro të ndërtimit të autostradës”, tha Grubi. Ai propozoi zhvillimin e projektit për lidhjen hekurudhore Shkup-Durrës, respektivisht infrastrukturën hekurudhore të Korridorit 8.

“Te ne duhet të modernizohet lidhja ekzistuese hekurudhore Kumanovë-Shkup-Kërçovë dhe të përfundojë ndërtimi i pjesës nga Kërçova deri në kufirin me Republikën e Shqipërisë, me gjatësi 63km si dhe nga Kumanova për në Bullgari në gjatësi prej 89km”, shtoi Grubi.

Ai gjithashtu propozoi që të krijohet i ashtuquajturi “porti i thatë” në Strugë, që fillimisht ka qenë ide e kryeministrit Rama. Grubi tha kjo nënkupton krijimin e një pike logjistike për transportin e mallrave që vijnë nga Porto Romano në Durrës.

“Këtu dua të falënderojë kryeministrin Rama i cili na mundësoi qasjen e një vendi pa det në Portin e Durrësit, dhe vetëm në këtë mënyrë zhvillohen marrëdhëniet vëllazërore dhe të afërta mes nesh”, pohoi mes tjerash Grubi.

Baby Boo