Petrovska: Pas kompletimit të dëshmive do të pasojnë padi penale për rastin në objektin Çardak në rrugën “Boemska”


Padi penale paralajmëroi zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Sllavjanka Petrovska për të gjithë ata të përfshirë në rastin me objektin e hotelierisë në rrugën “Boemska” në Shkup. Padi penale janë paralajmëruar si për personin juridik në të cilin është kryer inspektimi, i cili fillimisht është penguar, por edhe për personat që ishin në objekt në atë kohë. Të katër personat që ishin të pranishëm në objekt atë natë janë identifikuar, sipas rrëfimeve të dëshmitarëve okularë, ndërsa njëri prej tyre, siç dihet tashmë për opinionin, është lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.

Padi penale për pengimin e veprimeve zyrtare dhe mosrespektimin e masave të Qeverisë do të shtrohet nga MPB për objektin e hotelierisë në rrugën “Boemska” në Shkup pas përfundimit të provave dhe përcaktimit të përgjegjësisë, tha Petrovska në konferencë për shtyp sot.

Ajo informoi se më 3 qershor, inspektorët nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, gjatë një inspektimi të jashtëzakonshëm në objektet e hotelierisë, në rrugën “Boemska”, nëse po i zbatonin masat për të parandaluar përhapjen e virusit Kovid 19, janë penguar, nuk janë lejuar që ta kryejnë mbikëqyrje në pjesën e brendshme të një objekti.

“Gjatë përpjekjes për t’u bërë inspektim në objektin e hotelierisë “Çardak” nga punonjësit në pjesën e brendshme të objektit, inspektorët nuk u lejuan me shpjegimin se nuk kanë çelës nga ajo pjesë. Kur inspektorët janë larguar nga objekti dhe kanë kaluar në objekte të tjera, kanë vënë re që disa njerëz po dilnin nga brenda. Më pas janë kthyer në objekt dhe kanë insistuar që të lejohen të mbikëqyrin në përputhje me rregullat ligjore”, tha Petrovska.

Ministria e Brendshme, përmes thirrjes së një dëshmitari okular, i drejtoi punonjësit e policisë në vendngjarje.

“Pas ardhjes së personit që e prezantoi veten si një nga pronarët e objektit, i njëjti e hapi katin e sipërm, gjegjësisht kantinën e verës Çardak me ç’rast inspektorët inspektuan hapësirën, nuk u gjetën mysafirë, por në të u gjetën enë dhe gota të përdorura gjë që tregon se pjesa e brendshme megjithatë ishte përdorur nga dikush” shtoi zëvendësministrja shtesë.

Informoi se është njoftuar prokurori publik nga i cili ishte marrë leja për marrjen e pajisjes për regjistrim prej kamerave të sigurisë në objekt.

Sipas saj, në afërsi të objektit si dhe brenda objektit janë vërejtur nëpunës policorë, të cilët sipas përshkrimit të vendeve të tyre të punës nuk është dashur të jenë aty dhe se kjo ka shfaqur dyshime për qëllimin e tyre dhe duke e pasur parasysh se bëhet fjalë për një vend të frekuentuar janë thirrur nëpunësit policorë të njësisë për sistemim të shpejtë, si sigurim preventiv i hapësirës.

“Ky rast që flet për vetëdijen dhe ndërgjegjen e atyre që në një kohë të pandemisë shkelin masat e mbrojtjes. Ky nuk është rast politik. Kjo është ngjarje në të cilën janë kryer vepra penale dhe prandaj pas përfundimit të provave do të ngrihet kallëzim penal, përkatësisht kallëzime penale kundër të gjithë atyre që e kanë bërë atë”, tha Petrovska dhe shtoi se duhet të ketë përgjegjësi, morale për të cilën opinioni do të gjykojë dhe penal për të cilën do të gjykojë gjykata.

Nga deklaratat e dëshmitarëve okularë, theksoi Petrovska, të katër të pranishmit brenda ndërtesës janë identifikuar.

“Dëshmitarë okularë të punësuar në objekt dhe pas konfirmimit të regjistrimeve, emrat e tyre do të kumtohen. Mund të konfirmoj se njëri nga personat është ish-zyrtar në Qeveri, gjegjësisht në Ministrinë e Brendshme dhe një është polic. Një ish-funksionar është nëpunës aktual i policisë, pjesëtar i Ministrisë”, shtoi Petrovska.

Baby Boo