Petkov ankohet në “BBC” për bullgarët në Maqedoni! Gazetari i thotë se rastet në Strasburg e tregojnë të kundërtën


Kryeministri i Bullgarisë, Kirill Petkov në intervistën e tij të parë për Bi-Bi-Si-në britanike, u ankua se bullgarët në Maqedoni nuk kanë mbrojtje ligjore. Ende kemi probleme të cilat duhet t’i zgjidhim, tha Petkov. Por, gazetari i cili e realizoi intervistën, Stefan Sakr, e ndërpreu Petkovin dhe reagoi me një pyetje të drejtpërdrejtë për të drejtat e maqedonasve në Bullgari:
“Bullgarët në Maqedoninë e Veriut ende nuk kanë të drejtë për mbrojtje ligjore”, deklaroi Kiril Petkov, kryeministër i Bullgarisë.

“Më falni, por nuk kanë as maqedonasit etnikë në Bullgari. Në fakt, në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut më shumë raste kishte mbi këtë bazë sesa anasjelltas, gjegjësisht sesa për bullgarët të drejtat e të cilëve janë shkelur në Maqedoni. Argumentet tuaja janë të dobëta. Gjithçka varet nga vullneti juaj politik. Presidenti Juaj thotë se dora juaj që e keni shtrirë ndaj Qeverisë së Maqedonisë është gabim, do të duhet mbështetje nga shumë njerëz me ndikim në vendin Tuaj për t’i normalizuar marrëdhëniet me Maqedoninë”, tha Stefan Sakr, gazetar i BBC.
Megjithatë, Petkovi shmangi t’i përgjigjet kësaj vërejtjeje, vetëm tha se me kryeministrin maqedonas janë marrë vesh rreth kësaj çështjeje.

“Lajmi i mirë është se kur biseduam me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut ne në fakt plotësisht u dakorduam se bullgarët duhet të kenë të drejta ligjore ashtu siç i kanë të gjithë maqedonasit dhe popujt e tjerë, siç janë shqiptarët. Gjë e mirë është që kemi mirëkuptim rreth kësaj çështjeje, tani parashtrohet pyetja – si të arrijmë deri në këtë pikë dhe cila është rruga që opinioni publik i të dyja vendeve të pajtohet?“, tha Kiril Petkov, kryeministër i Bullgarisë.

Nga intervista e kryeministrit bullgar, Petkov për BBC, në mediat bullgare ishte transmetuar vetëm pjesa në të cilën flet për krizën në Ukrainë. Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë nuk reagon ndaj programit të cilin BNT-ja bullgare e emiton në vendin tonë, e në të cilin transmetohen emisione për përkatësinë e Goce Dellçevin si bullgar. Lidhur me këtë temë, kryeministri i vendit, Kovaçevski dje doli me përgjigje të shkurtër:
“Unë do të bisedoj me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe ata do të njoftojnë lidhur me këtë“, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Edhe përkundër kësaj, kryeministri bullgar Petkov i ka telefonuar Kovaçevskit për të biseduar për heqjen e shiritave nga kurorat lulesh në varrin e Dellçevit që ishin vendosur nga ana e delegacionit bullgar, si dhe për sulmin ndaj Qendrës Kulturore “Ivan Mihajllov” në Manastir ku ishin thyer disa dritare. Për rastet në fjalë, MPB-ja tashmë ka nisur hetim. Për incidentin në Manastir është konstatuar se nuk ka prapavijë politike, por se këtë e ka bërë ish-bashkëshortja e sekretarit të Qendrës për arsye private, i cili paraprakisht kishte denoncuar se bëhet fjalë për intolerancë ndaj bullgarisë.

Baby Boo