“Peshqit dhe oktapodët” e Qeverisë, nxitën reagimin e opozitës


Pas kronikës së mediave se Qeveria vazhdon luksin duke nënshkruar marrëveshje për ‘tu furnizuar me peshk të freskët, oktapod dhe fruta deti, kanë reaguar partitë opozitare. Gordana Dimitrievska Koçoska nga VMRO-DPMNE këtë veprim të Qeverisë kur qytetarët ndodhen në krize ekonomike dhe energjetike e quan si “lajthitje”.

“Pse ‘lajthitje’, sepse në kushte të një krize të këtillë energjetike dhe ekonomike, kur më shumë se 500 mijë qytetarët jetojnë në prag të varfërisë, ata bëjnë furnizim të këtillë publik. Të ishte për ujë do të thoshim se është e nevojshme për Qeverinë. Flasim për fruta deti dhe oktapod. Është për të ardhur keq, në vend se ato para ti dedikonin për masa për qytetarët të cilët janë raste sociale, pasi e shohim se ende nuk ka masa për këtë kategori të qytetarëve”, tha Gordana Dimitrieska Koçoska, VMRO-DPMNE.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se furnizimi me ushqim luksoz i Qeverisë nxjerr në pah ndjesinë e pushtetit ndaj qytetarëve.

“Kronika e transmetuar në media është përgjigja më e mirë për krizën në të cilën ndodhen qytetarët. Kjo flet edhe për atë se si ndjehen funksionarët qeveritarë përballë krizës, pse nuk kanë asnjë fije ndjesie për gjendjen e përgjithshme, përse aq lirshëm rriten çmimet dhe injorohen ankesat e qytetarëve. Të jeni të bindur se shuma e shpenzuar për peshk e fruta deti, është shuma më e vogël në krahasim me luksin e përgjithshëm dhe shpenzimet që bëjnë ministrat e kësaj Qeverie. Ata janë përfituesit e vetëm dhe të pa ngopur nga kjo krizë”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Ndërsa nga Lëvizja BESA, deklarojnë se Qeveria u bën thirrje qytetarëve që në kohë krize të kursejnë, ndërsa ajo me paratë e qytetarëve ushqehet në mënyrë luksoze.

“Injoranca është edhe më i madh kur vetë qeveria bën thirrje që të menaxhohen të gjitha mjetet në të gjitha institucionet me kujdes se është kohë krize, ndërsa nga ana tjetër Qeveria lëshon veten me fruta deti me peshk, në kohë krize kur qytetarët kanë problemet ekzistenciale për të siguruar kafshatën e gojës dhe për të siguruar ekzistimin e tyre… Kjo qeveri ditë e më parë duhet të largohet se kanë dështuar në çdo lloj menaxhimi të situatave të krizës”, deklaroi Faruk Avdiu, Lëvizja BESA.

Mediat dje publikuan tre marrëveshjet e lidhura të Qeverisë me një kompani nga Shkupi, e cila në vlerë prej 20 500 euro, do duhet ta furnizojë Qeverinë me peshk të freskët, oktapod dhe fruta deti. Nga Qeveria u arsyetuan se do të paguajnë aq sa do të konsumohet gjatë vizitave të delegacioneve./Alsat.mk

Baby Boo