Pesë javë luftë! Zelensky: Evropa veproi shumë vonë për të ndaluar pushtimin rus


Presidenti i SHBA-së, Joe Biden do të takohet këtë të premte me refugjatët ukrainas në kufirin polako-ukrainas. Më shumë se dy milionë ukrainas kanë ikur në Poloni për t’i shpëtuar luftimeve.

Një muaj pas pushtimit të Rusisë, presidenti i Ukrainës Volodymr Zelensky u tha vendeve evropiane se vepruan shumë vonë ndaj kërcënimit të Moskës, duke sugjeruar se sanksionet e mëparshme mund të kenë penguar luftën.

Ai u bëri thirrje atyre që “të mos vonohen” në miratimin e kërkesës së Ukrainës për t’u bashkuar me BE-në.

Fjalimi i Zelensky pasoi një ditë intensive samitesh në Bruksel midis vendeve perëndimore kundër pushtimit të Rusisë.

Biden tha se NATO “do të përgjigjej” nëse Rusia përdor armë kimike në Ukrainë, por nuk dha detaje se si. Perëndimi ka paralajmëruar për një skenar të tillë pasi lufta në Ukrainë po ‘zvarritet’ në javën e saj të pestë.

NATO konfirmoi gjithashtu se do të dërgonte 40,000 trupa në total në Sllovaki, Hungari, Bullgari dhe Rumani, vendet në kufi me Ukrainën.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson i tha BBC-së se Ukraina mund ta fitojë luftën, por Putini nuk duket i interesuar për paqen.

Në fushat e betejës, një anije ruse u shkatërrua në qytetin port të të Berdyansk të enjten, sipas zyrtarëve ukrainas.

10:19 Zyrtarët e konfirmojnë: 300 njerëz civilë u vranë në bombardimin e teatrit në Mariupol

Sulmi i forcave ruse në një teatër në Mariupol ku strehoheshin mijëra persona ka lënë 300 civilë të vrarë. Bombardimi i javës së kaluar tregoi imazhe të rënda ndërsa kishin shkruar në tokë “fëmijë” për të paralajmëruar forcat ruse për praninë e tyre brenda.

Por kjo nuk i ndali. Këshilli Bashkiak i Mariupolit raporton sot se rreth 300 njerëz u vranë në sulm.

“Fatkeqësisht, ne e fillojmë këtë ditë me lajme të këqija”, thuhet në një deklaratë, raporton Sky News.

09:29 Pas disa përpjekjeve, hapet sot korridori humanitar në Mariupol

Ky korridor humanitar pritet të hapet ditën e sotme, ku përveç personave që do të largohen me makina private, do të evakuohen edhe civilë të tjerë dhe njerëz në nevojë. Në disa zona të Ukrainës janë vendosur disa korridore humanitare, por duke përjashtuar këtu qytetin port të rrethuar, i cili tashmë është shkatërruar nga zjarri i artilerisë me javë të tëra.

08:50 Ish-presidenti i Rusië, Medvedev: Sanksionet nuk do të kenë ndikim në Moskë

Dmitry Medvedev, ish-president i Rusisë dhe tani zëvendësshef i Këshillit Shtetëror të Sigurisë, ka thënë se do të ishte “budallallëk” të besohet se sanksionet e Perëndimit kundër bizneseve ruse mund të kenë ndikim në Qeverinë në Moskë. Perëndimi ka vendosur një mori sanksionesh ndaj Rusisë, dhe disa sanksione shënjestrojnë oligarkë rusë, që besohet se janë të afërt me presidentin rus, Vladimir Putin.

08:30 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miraton rezolutë për mbrojtje të civilëve në Ukrainë

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë, e cila kërkon mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës civile në Ukrainë, si dhe ndaljen e menjëhershme të luftës. Rezoluta, e cila është miratuar më 24 mars në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka siguruar 140 vota në të mirë të saj nga 193 në total. Katër shtete – Siria, Bjellorusia, Koreja Veriore dhe Eritrea – i janë bashkuar Rusisë me votë kundër dhe 38 shtete kanë abstenuar.

Top Channel

Baby Boo