Përveç në Strumicë, ahengje festive gjatë pandemisë Covid-19 janë organizuar edhe në Prilep


Photo A1on
Derisa vendi regjistroi numër rekord të personave të infektuar me koronavirus në bazë ditore, përveç në qytetin e Strumicës, ahengje zbavitëse në kundërshtim me ligjin dhe protokollet shëndetësore janë organizuar edhe në Prilep.
Prej pamjeve në rrjetet sociale shihet një numër i madh i qytetarëve të cilët nuk respektojnë distancën e paraparë për mbrojtje nga koronavirusi dhe nuk mbajnë maska mbrojtëse. Nga Inspektorati i Tregut thonë se janë njoftuar për ngjarjen por që për derisa inspektorët janë nisur për në vendngjarje, klubi i natës është zbrazur.

“Dikush i informoi se kishte raportime dhe se do të veprohej. Inspektorët nga rajone të ndryshme veprojnë në secilin qytet, kështu që deri sa kanë mbërritur inspektorët nga Manastiri, klubi është boshatisur. Në të njëjtën mbrëmje u raportua për ahengje në Strumicë, si dhe për një festë në një pishinë në Vinica. Kontrollet do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim. Organizimi i ahengjeve dhe festave është i ndaluar. Lejohet muzikë e qetë që luhet në një vend të caktuar. Por disko, ku mblidhen nga 600 persona, për të vallëzuar me njëri-tjetrin, nuk lejohet” deklaroi Paunovski.

Inspektorati i Tregut nuk mund të dënojë në bazë të fotografive të siguruara sepse këtë nuk e lejojnë dispozitat ligjore, respektivisht inspektorët duhet të kapin të pranishmit dhe organizatorët në vendngjarje, që të mund të sanksionojnë shkeljen.

Ndryshe, mbrëmjen e djeshme ahengje të tilla janë raportuar edhe në Strumicë, e gjithë kjo ndodhë kur vendi regjistron shifra të larta të rasteve të reja me Covid-19 në bazë ditore. Në vendin tonë numri i përgjithshëm i personave të diagnostifikuar me koronavirusin e ri ka shkuar në 9026. Deri dje numri i të vdekurve si pasojë e komplikimeve nga Covid-19 ishte 414, kurse për momentin ka 3885 raste aktive. Në spital po trajtohen 419 pacientë.

Baby Boo