Për Kovaçevskin zëvendësimi i 20%-it me gjuhën shqipe nuk është prioritet

Heqja e formulimit “20 për qind” nga Kushtetuta dhe zëvendësimi i tij me “gjuha shqipe” nuk bën pjesë në listën e prioriteteve të kryeministrit Dimitar Kovaçevski pavarësisht deklarimeve të partnerit të tij qeverisës, kreut të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravarit se nuk do të heqin dorë nga kjo kërkesë. Për Kovaçevskin, aktualisht fokusi duhet të jetë tek përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë.

“Unë personalisht konsideroj se ne kemi prioritet, kësaj radhe t’i përmbushim obligimet të cilat rrjedhin nga korniza negociuese, e cila është pranuar nga ana e Kuvendit, me ato konkluza për të cilat votoi edhe partia Aleanca për Shqiptarët, megjithatë të shohim se si do të rrjedhë diskutimi por gjithsesi mendoj që duhet të koncentrohemi tek ajo që është prioritet, ndërsa kjo vazhdimi i rrugës së shtetit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Kryetarja e grupit-punues për ndryshimet kushtetuese, Margarita Caca-Nikollovska konsideron që grupi me të cilin udhëheq ajo s’ka mandat për të diskutuar për gjuhën shqipe. Ajo shtoi se rregullorja për punën e tyre pritet të miratohet të premten.

“Nesër, në rend të ditës e kemi miratimin e rregullores e cila është shumë e rëndësishme për punën e këtij komisioni, e cila është shumë anëtarëshe dhe më një komision me aq shumë anëtarë nuk mund të prisni që në një, dy ditë shumë punë të kryhen, po shkojmë gradualisht”, tha Margarita Caca-Nikollovska, kryetare e grupit punues për ndryshimet kushtetuese.

Shefi i ministrisë së Drejtësisë, themeluese e këtij komisioni nga ana tjetër, Krenar Lloga, nuk mendon kështu. Ai disa herë është shprehur se pavarësisht që prioritet është preambula, nuk duhet anashkaluar edhe heqja e 20 për qindëshit. Përveç kësaj, edhe kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, dje nga Uashingtoni tha se s’do të heqë dorë nga kjo kërkesë.

“Kërkesa jonë, e të gjitha partive politike shqiptare është 20% të hiqet, praktikisht gjuha shqipe në Maqedoni është gjuhë zyrtare por quhet si gjuhë të cilën e përdorin 20 për qind e popullatës, kërkesa jonë është që kjo 20% të zëvendësohet me fjalën shqip dhe këtë e përkrahin të gjitha partitë shqiptare në Maqedoni që i kanë deputetët në parlament, edhe partitë maqedonase të paktën në mënyrë deklarative thonë se nuk ju prish punë kjo. Kur ndodhën ndryshimet kushtetuese në Prespë në vitin 2019, kishim premtim prej të gjitha partive maqedonase se në hapjen e ardhshme të kushtetutës gjuha shqipe do të jetë zyrtare, dhe jo si 20% si numër, por si fjalë gjuhë shqipe”, theksoi Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Përveç Taravarit, të gjitha partitë tjera shqiptare si dhe presidenti Stevo Pendarovski janë shprehur se janë për heqjen e formulimit “20%” nga Kushtetuta. /Alsat.mk