Për 7 ditë, Real Madridi humbi gjithçka


Shtatë ditët e fundit kanë qenë vetë tmerri për Real Madridin dhe tifozët e tij. Praktikisht, Loc Blancos kanë humbur çdo mundësi për të luftuar për të paktën një trofe këtë sezon.

Eliminimi tronditës nga Liga e Kampionëve në kurriz të Ajaxit, nënkupton se Real Madridi është pothuajse zyrtarisht jashtë çdo gare për trofe këtë sezon.
Faj përse skuadra e Santiago Solarit me gjasë do të mbetet pa trofe këtë vit ka edhe rivali i moçëm, Barcelona.
Një javë më parë, Madridi u përball me eliminim nga gara e parë këtë sezon, Kupa e Mbretit, pasi humbi në shtëpi 0:3 nga Barcelona në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale.
Këtë të shtunë, Barça i dha edhe një goditje tjetër të rëndë Madridit, duke e mposhtur 0:1 në La Liga. Me 12 ndeshjet të mbetura për t”u zhvilluar, Reali ngel plot 12 pikë prapa katalonasve.
Duke marrë parasysh formën e dobët të Real Madridit, dallimin në pikë dhe dominimin e Barçës në ligë, gjasat që Reali ta fitojë ligën janë pothuajse zero.
Pra, tashmë i eliminuar zyrtarisht nga Kupa e Mbretit dhe Liga e Kampionëve, si dhe gjasat tejet të vogla për ta fituar ligën, Real Madridi humbi gjithçka brenda shtatë ditëve. /Gazeta Express/

Baby Boo