Pendarovski për vaksinim: Do ta marrë atë që do të jetë në dispozicion

Presidenti Stevo Pendarovski deklaroi sot se para disa ditësh është paraqitur për vaksinim në aplikacionin Vakcinacija.mk dhe se do ta marrë vaksinën kur t’i vijë radha, transmeton Portalb.mk.

Baby Boo

“Po, unë u paraqita para disa ditësh në sajt, ashtu siç është për të gjithë qytetarët”, tha presidenti pas prezantimit të pullës postare me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Bllazhe Koneskit. Ai sqaroi se për sa i përket përparësisë ekziston plan që është publikuar, sipas të cilit, në kategorinë e parë janë punonjësit shëndetësor dhe me shumë gjasë sot ose nesër duhet të përfundojë imunizimi i tyre, i cili përfshin pesë deri në gjashtë mijë njerëz. Pastaj vijnë qytetarët më të vjetër mbi 77 vjeç, ndërsa më pas shkohet sipas një metode të kombinuar – kategoria e moshës dhe faktorë të tjerë.

“Do të përfshihet e ashtuquajtura infrastrukturë kritike, në të cilën përfshihen për shembull, punonjës të sporteleve, policë, ushtarë, etj. Kur të vijë koha, do të vaksinohem, natyrisht me vaksinën që do të jetë në dispozicion në atë moment”, tha Pendarovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Kjo, siç shtoi, është për shkak se ekzistojnë polemika të ndryshme rreth llojeve të ndryshme të vaksinave.

“Mund t’ju siguroj se gjithçka që është miratuar në vendin tonë nga autoritetet kompetente është e verifikuar. Të gjitha vaksinat që importohen dhe aplikohen janë 100 për qind të sigurta, njësoj sikur po vaksinoheni në cilindo qoftë vend evropian”, tha Pendarovski.
Presidenti Pendarovski tha se është mirë që filloi imunizimi masiv dhe se me shumë mundësi nesër do të vizitojë një nga pikat e vaksinimit.
“Unë besoj se ky muaj do të jetë muaj i imunizimit masiv,” tha Pendarovski.

I pyetur në lidhje me rastin e shpëtimit të një qytetari të rrezikuar, Pendarovski tha se armata nuk ka marrë asnjë thirrje për kyçje në një aksion të tillë.
“Një kërkesë e tillë nuk ka ardhur fare, po të vinte, siguroj se menjëherë do të veprohej dhe, jo vetëm për helikopterët, por edhe për njësitë speciale të ushtrisë të stërvitura për një gjë të tillë, për të vepruar në kushte malore dhe terrene të paarritshme” , tha Pendarovski.