Pendarovski: Nëse e ruajmë më të shtrenjtën- shëndetin, për gjitha problemet tjera do të kërkojmë zgjidhje


Vitin e kaluar si popull kemi kaluar nëpër golgotën më të madhe që nuk mbajnë mend as qytetarët tanë më të moshuar. Kemi paguar çmim të madh, mbi 2.100 bashkëqytetarë tanë mbetën të trishtuar përjetë, ka thënë presidenti Stevo Pendarovski në fillim të fjalimit vjetor në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ai shprehu ngushëllime për më të afërmit e të gjithë atyre të cilët e humbën jetën si pasojë e pandemisë me kovid 19 dhe t’i lut të gjithë të pranishmit në sallë t’i respektojmë me një minutë heshtje bashkëqytetarët tanë – 2169 të cilët, për fat të keq e humbën betejën me virusin! Qofshin të lavdishëm!

Pastaj shprehu falënderim mjekëve, personelit mjekësor dhe të gjithë qytetarëve të cilët ishin dhe janë ende në linjën e parë të frontit në luftën me pandeminë. “Ata janë heronjtë e vërtetë në këtë vit 2020 i cili krejtësisht pa pritur u bë një nga vitet më të vështira nga pavarësia jonë, dhe të cilët përditë, dëshmojnë në vepër se humanizmi dhe solidariteti nuk janë kategori të harruara dhe se dekadat e jetesës së vështirë dhe vitet e tranzicionit të zymtë nuk na çnjerëzuan, që të harrojmë mundimet e të tjerëve”, tha Pendarovski.
“Pandemia duhej të jetë moment i kthjelltësimit për të gjithë në shtet dhe të çojë drejt bashkimit të kombit që ballafaqohet me kundërshtarin e panjohur, pa marrë parasysh dallimet krejtësisht legjitime, politike, etnike dhe njerëzore midis nesh. Në një pjesë ajo e arriti këtë, megjithatë, për fat të keq, në pjesën tjetër i përforcoi antagonizmat ekzistues, e zmadhoi humnerën e ndarjeve në shoqëri dhe i nxori në sipërfaqe dobësitë institucionale, që së bashku, përveç krizës shëndetësore dhe politike, e rrënoi dhe ekonominë, e cila nga fundi i vitit hyri në recesion”, tha presidenti.

Në fjalimin e tij, ai tha se shteti mbeti, pothuajse, nëntë muaj pa Kuvend funksional dhe duhej për herë të parë nga pavarësia jonë, të vendosej gjendja e jashtëzakonshme që të mundësojmë të funksionojë sistemi, të mbijetojë ekonomia, kurse qeveria të ketë një hapësirë më të gjerë juridike që t’i ndihmojë qytetarët dhe subjektet ekonomike të cilat janë më të goditurat.
“Të gjithë i mbajmë mend skenat e mundimshme, madje edhe në disa prej shteteve më të fuqishme në botë, ku njerëzit prisnin para dyerve të spitaleve në të cilat nuk kishte shtrat të lirë. Pandemia ushtroi një presion enorm mbi sistemin tonë shëndetësor, por, çdo analizë objektive do të dëshmojë se shteti, në përgjithësi, e menaxhoi gjendjen me pandeminë në mënyrë racionale me shpërndarje të planifikuar të resurseve të kufizuara të cilat janë në dispozicion, duke e anashkaluar kolapsin që ndoshta do të nënkuptonte një numër më të madh viktimash dhe të sëmurësh”, theksoi Pendarovski.

Gjatë kohës së pandemisë, siç theksoi, arritëm të organizojmë zgjedhjet parlamentare në të cilat rreth 940.000 njerëz e shfrytëzuan të drejtën e vet të votimit, por numri i madh i votuesve nuk ishte shkak për shpërhapjen e virusit.
“Zgjedhjet, të cilat në kohën e pandemisë ishin ndër të parat që u organizuan në botë, janë vlerësuar nga misioni i OSBE/ODHIR si demokratike, dhe kjo dëshmoi se kemi kapacitet edhe në kushte jashtëzakonisht të komplikuara të organizojmë zgjedhje dhe të formojmë institucione demokratike”, tha shefi i shtetit.

Rikujtoi se disa herë e ka konvokuar Këshillin e Sigurisë që të dakordojmë koordinim më të mirë midis institucioneve dhe zbatim të masave të domosdoshme, kurse, e përfshiva edhe Armatën në mbështetje të sektorit të shëndetësisë dhe policisë edhe gjatë gjendjes së jashtëzakonshme edhe gjatë gjendjeve të krizës të shpallura në nivel komunal dhe shtetëror.
“E di se vlerësimet e tilla nuk do t’u nënkuptojnë asgjë familjeve të cilat i humbën më të dashurit e vet, por rrënimi strukturor, dekador i sistemit shëndetësor mund të kontribuonte lehtë për rezultate edhe më të këqija, nëse nuk do të ishte angazhimi natë e ditë i punonjësve mjekësorë, ushtrisë, policisë dhe i mijërave vullnetarëve”, tha ai.

Paralajmëroi se detyra jonë e parë dhe më e rëndësishme që na pret si shtet, menjëherë pas vendosjes nën kontroll të pandemisë është të bëjmë analizë të thellë mbi funksionimin e rendit tonë juridik, politik dhe ekonomik në vitin e kaluar, të nxjerrim mësime dhe t’i vendosim mbi baza të shëndetshme të gjitha pjesët e sistemit të cilat dështuan, sepse askush nuk e di se a na pret ndonjë pandemi tjetër në kthesën tjetër të historisë.

Pendarovski tha se në fillim të vitit të ardhshëm do të inicioj debat publik i cili duhet të japë kontribut për përpilimin e ligjeve për gjendje lufte dhe gjendje të jashtëzakonshme dhe kornizë juridike për reforma të sistemit të tërësishëm të menaxhimit të krizave.
“Gjatë kësaj, qëllimi ynë i vetëm duhet të jetë përcaktimi i bazave juridike për koordinim më të mirë midis institucioneve në kohë krizash, transparenca më e mirë e punës së tyre dhe mekanizmat më të mirë për kontroll si digë kundër keqpërdorimeve eventuale nga pushteti”, shtoi presidenti.

Megjithatë, siç tha, ekziston diçka që asnjë ligj nuk mund ta rregullojë dhe ku nuk ndihmojnë asnjë dekret dhe rregullore.
“Kufizimi i të drejtave dhe lirive të njeriut, ndërsa sidomos kufizimi i lëvizjes dhe kontaktet sociale midis njerëzve, ishte një masë e detyruar, kishin edhe një efekt të theksuar negativ psikologjik mbi qytetarët. Kam ndjenjën se në kushte të tilla kur detyra jonë parësore ishte lufta me virusin, jo vetëm këtu dhe jo vetëm ne, i kushtuam vëmendje të pamjaftueshme lëndueshmërisë së qytetarëve ndaj propagandës, dezinformatave dhe lajmeve të rreme në këtë gjendje të veçantë shoqërore”, theksoi Pendarovski.

Shtoi se ballafaqimi me krizën shëndetësore është sfidë serioze, por anashkalimi i pasojave negative afatgjata të mosbesimit të qytetarëve në institucionet, por edhe në shkencë dhe në profesion, i cili po intensifikohej gjatë pandemisë nuk është rrezik më i vogël.
“Ajo që na pret me siguri është vala e re e fushatave negative të cilat do t’i dekurajojnë njerëzit të vaksinohet nëpërmjet teorive të konspiracionit në rrjetet sociale. Prandaj, fushata e vaksinimit, i cili do të jetë, gjithashtu, në bazë vullnetare, do të duhet të kryhet nëpërmjet shembujve personalë. Nuk duhet të lejojmë, që në shekullin e 21 për çështje të tilla serioze, të dominojnë sharlatanë dhe pseudomjekë gjysmë të shkolluar mbi emrat dhe institucionet e mëdha shkencore të cilët në dy shekujt e kaluar, nga shfaqja e vaksinave të para, kanë shpëtuar miliona jetë njerëzore”, tha Pendarovski në fjalimin e tij në Kuvend.

Duke ju uruar festat që vijnë, siç tha, dëshiroj, jo vetëm si president, por edhe si njëri prej jush, t’ju lut t’i festoni në shtëpi në rrethin e më të afërmve që ta ruajmë më të shtrenjtin që e kemi – shëndetin dhe jetën.
“Kur duruam gjithë vitin, me maska, karantinë, izolim dhe lëvizje të kufizuar, ju lutem, të durojmë edhe ndonjë muaj para se të fillojmë të kthehemi në normalitet. Do të ketë kohë edhe për të dalë edhe për t’u shoqëruar edhe për biseda me miqtë dhe shokët. Por, humbëm shumë njerëz që të lejojmë tragjedi të reja njerëzore dhe familjare”, tha ai.

Duke dëshiruar shëndet në vitin 2021, Pendarovski porositi se nëse e ruajmë më të shtrenjtin – shëndetin, për të gjitha problemet dhe vështirësitë të cilat i sjell gjithmonë jeta me vete, do të kërkojmë zgjidhje dhe do të ndihmojmë njëri-tjetrin.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare në fillim të fjalimit të Pendarovskit dolën para foltores me transparente kundër shefit të shtetit me çka lëshuan sallën e Kuvendit.

Baby Boo