Pëllumb Pipero: Pro maskës edhe në rrugë


Mjeku Pëllumb Pipero ka kërkuar përdorimin e maskës edhe në vendet e hapura, për t’u mbrojtur nga virusi vdekjeprurës COVID-19.
Në një lidhje me skype në Fax News, Pipero tha se në muajt në vijim padyshim që do të ketë një situatë më të vështirë në spitale, pasi mund të ketë dhe pacientë që preken nga viruset stinore, dhe që kanë nevojë për trajtim spitalor.

Ai theksoi se do të ishte e mirë që maska të bëhej e detyrueshme dhe në ambiente të hapura, që qytetarët të mësoheshin me përdorimin e saj, veçanërisht në qytetet ku ka një numër më të madh popullsie.
“Situata në muajt e dimrit, padyshim që do të jetë më shqetësuese, për shkak se do kemi edhe viruse të tjera, siç është gripi i zakonshëm. Ne duhet të jemi të përgatitur, që me qarkullimin e virusit stinor do të kemi një rritje të mëtejshme të numrave. Unë kam qenë kundërshtar i maskës në mjedise të hapura, them dhe kërkoj që maskën secili duhet ta vendos tashmë dhe në rrugë, maska duhet të bëhet detyrim ligjor dhe në mjedise të hapura, veçanërisht në qytetet ku ka një popullim të madh njerëzish”, tha mjeku.

Rritjen e shifrave të infektimeve, mjeku i lidhi me ekspozimin e shtuar të verës, për shkak të lëvizjeve, apo pushimeve, një lloj shkujdesjeje që duket jashtë dyerve të spitaleve, ku ka ende njerëz që nuk besojnë.
Sa u përket mjekimeve që mund të përdorin të infektuarit që kurohen në shtëpi, Pipero tha se nuk duhet të merret asnjë medikament pa këshillën e mjekut të familjes apo specialistëve.

Sipas Piperos, vetëm në rast se kanë tre ditë me temperaturë më të lartë se 38 gradë celsius, personave të prekur mund t’iu rekomandohet përdorimi i medikamenteve, por asnjëherë me mendjen e tyre dhe nga farmacistët.
“Maska, distanca dhe higjiena, janë tre masa të rëndësishme, që mbrojnë secilin nga ne, dhe më pas të gjithë ne. E vetmja këshillë që kam për qytetarët, është kontakti i vazhdueshëm me mjekun e familjes, nuk duhet të përdorin medikamente pa këshillën e mjekut, kemi parë skema mjekimi që qarkullojnë, që është shumë e gabuar, pasi asnjë rast nuk mund ti ngjajë tjetrit.

Shumica e rasteve që qëndrojnë në shtëpi nuk kanë nevojë për medikamente të veçanta, në çdo rast tjetër duhet të konsultohen me mjekët e familjes. Kemi me dhjetëra mesazhe nga qytetarë të ndryshëm, që edhe pse nuk na njohin na kontaktojnë.
Nëse nuk vazhdon temperatura mbi 38 gradë për më shumë se tre ditë nuk ka nevojë të përdorin as paracetamolin apo brufenin. Në rast se ajo shoqërohet me kollë apo dhimbje kockash, atëherë duhet të kontaktojnë menjëherë me mjekët e familjes. Mjeku i familjes është i trajnuar, dhe duhet medoemos që të luajë rol kryesor në pikën fillestare. Pa këshillën e mjekut të familjes nuk duhet të hedhim asnjë hap, nëse ata nuk na përgjigjen, duhet ti drejtohemi 127-tës, qytetarët nuk duhet të vrapojnë drejt farmacisë për të marrë medikamente. Duhet të pinë sa më shumë ujë, që të mbajnë në kontroll temperaturën e lartë të tyre.

Askush nga ne nuk është imun ndaj këtij virusi, shifrat e infektimeve te të rinjtë janë shumë të larta, veçanërisht në moshën mes 20-35 vjeç, ana e mirë është se ata rrallë sëmuren, por kjo nuk do të thotë që nuk e çojnë virusin në shtëpitë e tyre. Shijojini pushimet duke pasur kujdes, do të këshilloja natyrën dhe mjedisin jashtë, duhet medoemos që të kuptojnë se virusi qarkullon dhe na dëmton të gjithëve”, tha më tej Pipero.

Baby Boo