PDSH: Të anulohet matura shtetërore për këtë vit shkollor‬


Sot, në selinë e partisë, Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport mbajti konferencë për shtyp ku përsëritën qëndrimin e PDSH-së që provimet e Maturës Shtetërore të anulohen. Mirëpo, maturantët gjithsesi të pajisen me dokumentin për të cilin Ministria e Arsimit të formojë një ekip/trup ekspertësh e në konsultim me përfaqësues të të gjitha unioneve të nxënësve të shkollave të mesme, do të vendosë për kriteret e dhënies së Diplomës së Maturës (kritere për notat).

Më poshtë gjeni fjalën e nënkryetares Valbona Toska dhe linkun e videos.

“Të nderuar qytetarë,

Komisioni i Arsimit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit pranë Partisë Demokratike Shqiptare, më 28 mars të vitit 2020 doli me një propozim për anulim të tërësishëm të Maturës Shtetërore për vitin shkollor 2019/2020.

Si subjekt që i pari e shtroi kërkesën për heqjen e Maturës Shtetërore për këtë vit shkollor, na lejoni që t’ia shpjegojmë opinionit të gjerë dhe, në mënyrë të veçantë, maturantëve, çfarë zgjidhje konkrete ofron PDSH-ja në lidhje me Maturën Shtetërore.

Edhe sikur situata me virusin Covid -19 të tejkalohet në kohën më të shkurtër të mundur, prapë se prapë të gjitha rrethanat që ndikojnë në procesin e realizimit të provimeve të Maturës Shtetërore, janë në disfavor të maturantëve të sivjetmë:

• ata nuk ndjekin mësim të rregullt dhe mënyra e realizimit të procesit mësimor nuk përket me formën dhe cilësinë standarde;

• kanë shkëputje nga mësimi pikërisht në kohën kur zakonisht intensifikohen aktivitetet dhe ushtrimet rreth Maturës Shtetërore;

• janë në ankth për epilogun e provimeve të Maturës;

• me të drejtë janë të shqetësuar edhe për mundësinë e sigurimit të masave mbrojtëse gjatë realizimit eventual të provimit (provimet e Maturës Shtetërore i japin rreth 15 000 nxënës, kurse parashikimet rreth pandemisë janë se distanca sociale do të vijojë për një kohë të gjatë), por janë të shqetësuar edhe për ardhmërinë e tyre në përgjithësi, gjë që i rëndon edhe në aspektin psikologjik.

Duke i marrë në konsideratë të gjitha këto, i rekomanduam Ministrisë së Arsimit ta anulojë tërësisht Maturën Shtetërore për vitin shkollor 2019/2020. Ne, propozojmë që me Diplomën e Maturës për vitin shkollor 2019/2020 të pajisen të gjithë maturantët, pa përjashtim. Gjithashtu propozojmë që Ministria e Arsimit të formojë një ekip/trup ekspertësh, i cili, në konsultim me përfaqësues të të gjitha unioneve të nxënësve të shkollave të mesme, do të vendosë për kriteret e dhënies së Diplomës së Maturës (kritere për notat).

Diploma e Maturës është një dokument shumë i rëndësishëm që vërteton në mënyrë zyrtare përfundimin e një cikli arsimor dhe njëkohësisht është dokument i domosdoshëm për regjistrim në nivelin pasues.

Rrethanat do të ndryshojnë, kurse mungesa eventuale e Diplomës së Maturës maturantët e kësaj gjenerate do t’i ndjekë përjetësisht. Kjo nuk guxon të ndodhë dhe prandaj, edhe një herë e ftojmë Ministrinë e Arsimit që të veprojë me kohë dhe të marrë vendim që nuk do t’i dëmtojë interesat arsimore të kësaj gjenerate.”

Baby Boo