“Pashë një ushtar rus që vrau babanë tim në Bucha”, 14-vjeçari rrëqeth me rrëfimin


Yuriy dhe babai i tij, Ruslan dolën jashtë shtëpisë me shpresën që të merrnin disa ilaçe dhe ushqime në ndërtesën e administratës së Bucha ku po shpërndahej ndihma, por një ushtar rus i ndali në rrugë. Në atë moment, ata ngritën menjëherë duart.

Në një rrëfim tronditës për BBC News, 14-vjeçari sëbashku me nënën e tij tregoi se çfarë ndodhi më pas.

“Ne iu thamë se nuk mbanim armë dhe se nuk përbënim ndonjë rrezik. Pastaj babai im ktheu kokën nga ana ime, dhe atëherë ushtari rus e qëlloi… Ai u qëllua dy herë në gjoks, pikërisht aty ku është zemra. Pastaj ai ra në tokë”, tha ai.

14-vjeçari tha se në atë moment, ushtari e qëlloi në dorën e majtë dhe pastaj ra dhe ai. Teksa ishte i shtrirë në tokë, tha se u qëllua sërish nga ushtarët rusë, kësaj here në krah.

“Isha shtrirë në bark, nuk mund të shihja asgjë që po ndodhte rreth meje. Ushtari qëlloi sërish, duke më synuar kokën, por plumbi kaloi nëpër kapuçin tim.”

Yuriy tha se ushtari qëlloi përsëri, këtë herë në kokën e babait të tij. Por Ruslan ishte tashmë i vdekur.

14-vjeçari tha se kur ushtari lëvizi, ai vrapoi për në shtëpi.

Nëna e Yuriy, Alla, tha për BBC se pasi adoleshenti u kthye në shtëpi dhe i tregoi asaj se çfarë kishte ndodhur, mendoi se bashkëshorti i saj kishte nevojë për ndihmë mjekësore dhe u nis për në vendin ku e kishin qëlluar.

“Djali im më lutej të mos e bëja. Ai tha se do të më vrisnin edhe mua”.

Kur ajo u përpoq të ikte, tha se fqinjët e saj e ndaluan.

“Ata më thanë të mos shkoja më tej, duke thënë se rusët po vrisnin të gjithë në territoret nën kontrollin e tyre.”

Të nesërmen në mëngjes, ajo mori nënën e saj për të ndihmuar. Nëna e saj foli me ushtarët rusë dhe ata arritën të kalonin. Më në fund morën trupin e Ruslanit dhe e sollën në shtëpi. E varrosën në kopshtin e shtëpisë së familjes.

14-vjeçari tha se ishte i sigurtë se ushtari që e vrau të atin ishte rus.

“Uniforma e tij ishte jeshile e errët, tha ai, tipike për ushtrinë ruse. Pashë që në xhaketën e tij ishte shkruar “Rusia” në rusisht”, tha ai./tvklan.al

Baby Boo