Pas vonesës së shpalljes së rezultateve nga KSHZ-ja, partitë paralajmërojnë ankesa


Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve rezultatet e para përfundimtare jozyrtare të zgjedhjeve të parakohshme kuvendare i publikoi pothuajse 24 orë pas mbylljes së vendvotimeve. Pas këtij precedenti partitë politike në vend të përbërjes së mundshme të Qeverisë së re më shumë kanë folur për parregullsi si dhe ankesa të mundshme. Sipas llogaritjeve të LSDM-së, diferenca në dobi të koalicionit “Mundemi” është së paku tre mandate.

“Sipas të dhënave të qendrës kompjuterike zgjedhore të LSDM-së diferenca në dobi të koalicionit ‘Mundemi’ arrin të paktën tre mandate dhe në të dhënat e paraqitura nga KSHZ ka mangësi dhe gabime serioze që mund të japin një pasqyrë të pasaktë të rezultatit përfundimtar” thanë nga LSDM. Kryetari i OBRM-PDUKM-së Hristijan Mickoski njoftoi dje se komisioni ligjor i partisë është duke punuar për ankesat e mundshme për të cilat ka afat prej 72 orëve që të dorëzohen në komision.

Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie Igor Janushev tha se me kërkesë të OBRM-PDUKM-së KSHZ-ja i rinumëron rezultatet e procesverbaleve me qëllim që të heqë të gjitha mundësitë për çdo parregullsi në lidhje me rezultatet.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë dhe siç thotë ai për lojërat që po bëhen me mosshpalljen e rezultateve të zgjedhjeve. “Ka shumë informata nga terreni që nuk përputhen me rezultatet e nxjerra nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve deri në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Ka shumë rezultate të dyshimta në shumë vendvotime. Ka pasur tentime serioze, por edhe veprime që për qëllim kanë pasur tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve. Shtabi jonë i përbashkët ka denoncuar dhjetëra raste të tilla në organet përkatëse por edhe në institucionet relevante ndërkombëtare” shkruan Sela. Gjithashtu ai njoftoi se Shtabi i përbashkët i Koalicionit “Tash është Koha” pas zyrtarizimit të rezultatit do të përgatisë edhe ankesat e nevojshme bashkë me fakte dhe prova konkrete për shkelje në procesit zgjedhor.

Baby Boo