Pas protestës së serbëve, shqiptarët në veri të Kosovës ndjehen të rrezikuar (Video)


Pas dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe, serbët në veri protestuan duke kërkuar tërheqjen e taksës 100 për qind për produktet nga Serbia.

Paraditja e së martës u përcoll me tensione në veri të Mitrovicës. Përfaqësuesit e Listës Serbe lanë zyrat e tyre në Qeverinë e Kosovës për t’u prirë protestuesve serbë në veri. Protestës i parapriu dorëheqja e katër kryetarëve të komunave veriore (Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potoku).

Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se serbët e pjesës veriore kanë shumë arsye për të dal në rrugë dhe për të kundërshtuar politikën në Prishtinë.

“Veprimet e Prishtinës po e bëjnë të pamundur jetën normale të popullit serb në Kosovë. Taksat që i ka vendosur Prishtina për fëmijët tanë do të thotë se nuk ka më kushte themelore jetësore, ushqim, ujë, pas aksionit brutal të ROSU, që ndërhyri në veri të Kosovës, ndonëse sipas Rezolutës 1244 është e qartë se i vetmi formacion i armatosur mund të jetë KFOR-i. Por Prishtina as këtë vendim nuk e respekton. Ajo dërgoi njësi të armatosura deri në dhëmbë për të arrestuar bashkëqytetarë tanë dhe janë përpjekur të vrasin bashkëqytetarin tonë Millan Radojiçiqin. Vëlla, jemi me ty. Nga sot kemi shkëputur çdo komunikim me Prishtinën zyrtare”, deklaroi Goran Rakiq.

Protestës iu bashkuan edhe punonjësit e institucioneve në veri të Kosovës. Pos tyre u sollën edhe serbë nga pjesët e tjera të Kosovës.

Anëtari i Shtabit të Krizës së Listës Serbe, Slavko Simiq, tha se duhet të përdoren veprime të tjera që serbët të arrijnë qëllimet e veta.

“Armët tona më të mëdha do të jenë paqja dhe protestat paqësore. Dhe në anën tjetër do të kemi njerëz, të cilët do të përpiqen të na provokojnë dhe të vazhdojnë me vendimet që do të sjellin në pikëpyetje mbijetesën e serbëve në Kosovë”, deklaroi Slavko Simiq.

Banorët shqiptarë që jetojnë në pjesën veriore nuk po ndihen të sigurt gjatë organizimeve të tilla.

Gani Haziri, i cili jeton në Sheshin “Shumadia” të Mitrovicës Veriore, kërkon që të ketë më shumë kujdes kur ka organizime të tilla.

“Kur po organizojnë protesta dhe tubime të ndryshme, përveç qytetarëve të Mitrovicës po vijnë edhe qytetarë nga vende të ndryshme. Ata që nuk na njohin po kalojmë shumë më mirë, por duhet pasur shumë kujdes ndaj qytetarëve të Mitrovicës që po na njohin”, shprehet qytetari i Mitrovicës veriore, Gani Haziri.

Protesta e serbëve që zgjati rreth një orë përfundoi e qetë.

Aty u bë thirrje që edhe nesër dhe ditëve në vazhdim të mblidhen në orën 12 për të protestuar, derisa Qeveria e Kosovës të tërheq taksën për produktet e Serbisë. Në të kundërtën ata paralajmërojnë edhe veprime të tjera.

Gjatë kohës sa u mbajt protesta, në afërsi të Urës mbi Lumin Ibër u panë forca të shtuara të KFOR-it./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Baby Boo